Last Updated on 29/09/2026 by EL
Borxhi publik i Francës ka arritur një nivel rekord prej 3.595,5 miliardë eurosh në fund të qershorit, duke u ngjitur në 119% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (Insee), bëhet fjalë për nivelin më të lartë të regjistruar që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, borxhi u rrit me 59,6 miliardë euro, pas një rritjeje prej 75,8 miliardë eurosh në tre muajt e parë të vitit, kur borxhi ishte në 117,5% të PBB-së. Rritja erdhi kryesisht nga borxhi i shtetit qendror dhe i sistemit të sigurimeve shoqërore, ndërsa borxhi i pushtetit vendor u ul.
Qeveria franceze ka paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej. Sipas parashikimeve, borxhi publik pritet të arrijë në 121,7% të PBB-së në vitin 2027, më shumë se dyfishi i kufirit prej 60% të përcaktuar nga rregullat europiane.
Rritet kostoja e borxhit
Rritja e normave të interesit po e bën gjithnjë e më të kushtueshëm financimin e borxhit francez. Në vitet kur normat ishin shumë të ulëta, madje negative gjatë pandemisë, marrja e borxhit ishte më pak e kushtueshme. Por kombinimi i borxhit në rritje dhe normave më të larta të interesit po rëndon ndjeshëm mbi financat publike.
Franca pritet të paguajë rreth 79 miliardë euro vetëm për shërbimin e borxhit gjatë vitit 2026. Ndërkohë, në tregjet financiare kushtet janë përkeqësuar dhe investitorët kërkojnë norma interesi pranë 5% për t’i dhënë hua shtetit francez për një periudhë 10-vjeçare, një nivel që nuk është parë që nga kriza globale financiare e vitit 2008.
Për vitin 2027, qeveria parashikon që kostoja e shërbimit të borxhit të rritet më tej, në rreth 91 miliardë euro.
Presion mbi buxhetin e vitit 2027
Borxhi në rritje dhe kostoja e financimit po e komplikojnë edhe hartimin e buxhetit francez për vitin 2027, i cili pritet të paraqitet më 1 tetor. Qeveria e Sébastien Lecornut synon ta ulë deficitin publik në 5% të PBB-së, një objektiv që është shtyrë me një vit krahasuar me planifikimet e mëparshme.
Megjithatë, ekonomistë të ndryshëm paralajmërojnë se edhe ky objektiv mund të jetë i vështirë për t’u realizuar, veçanërisht për shkak të klimës politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Nëse normat e interesit vijojnë të rriten, kostoja e borxhit do të zërë një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxhetit të shtetit, duke kufizuar hapësirën për masa të tjera financiare dhe duke e bërë edhe më të vështirë konsolidimin e financave publike.
