Ish-portieri italian rikthehet te momentet më të rëndësishme të karrierës, nga netët e paharrueshme me kombëtaren te vitet te Interi, rivaliteti me Buffon, marrëdhënia me Julio Cesar dhe koha te Fiorentina me Batistutën.
Kur përmendet Francesco Toldo, mendja të shkon menjëherë te Europiani i vitit 2000, kur portieri italian u bë heroi i një nate magjike ndaj Holandës, duke pritur penalltitë dhe duke i mohuar kundërshtarëve një vend në finale.
Më pas erdhën vitet te Interi, trofetë dhe suksesi, edhe pse një pjesë e tyre i fitoi si zëvendës i Julio Cesar. Për Toldo, pikërisht ato triumfe kanë një shije të veçantë. Përpara Interit ishin vitet e rëndësishme te Fiorentina, ku luajti përkrah Gabriel Batistutës.
Sot, Francesco Toldo është 54 vjeç. Ai shijon jetën familjare, bashkëpunon me projektin “Legends” të Interit dhe është vullnetar në Mbrojtjen Civile të Milanos. Futbolli, ndërkohë, është pjesë e së kaluarës së tij dhe ai thotë se është i lumtur larg tij.
Nga provinca e Padovës drejt futbollit të madh
Rrugëtimi i Toldo nisi në provincën e Padovës. “Ishim një familje modeste, babai im menaxhonte një duhanore. Kur isha në Trento, ai më ofroi një milion e 100 mijë lireta që të lija gjithçka dhe të shkoja të punoja me të. Refuzova, doja t’ia dilja me futbollin. Dy vite më vonë isha te Fiorentina.” Por portieri italian nuk kishte nisur karrierën mes shtyllave.
“Luaja mbrojtës i djathtë. Madje bëra edhe një provë te Padova, por nuk më morën. Dhe për fat të mirë, do të thoja. Kush e di si do të kishte shkuar rrugëtimi im. Përfundova në portë rastësisht: urreja vrapimin dhe më pëlqente të zhytesha në dëborë. Një ditë një trajner më tha: ‘Sot provo në portë’. Nuk dola më prej aty. Argëtohesha shumë.”

Sipas Toldo, puna dhe dëshira për të përmirësuar veten kanë qenë gjithmonë pjesë e rrugëtimit të tij.
“Kur je fëmijë, edhe një fushë e vogël e Usma-s, ku luanim ne në provincë, përballë kishës, bëhet Bernabeu. Pastaj, me punë të palodhur, ndoshta arrin vërtet aty.”
“Gjithmonë kam besuar se isha portieri më i mirë në botë”
Europiani i vitit 2000 ishte një nga momentet më të mëdha të karrierës së tij.
Por a e ka menduar ndonjëherë se ishte portieri më i mirë në botë?
“Më besoni nëse ju them se e kam menduar çdo ditë? Ishte adrenalina ime që më shtynte ta mendoja. Edhe kur erdhi Julio Cesar dhe Mancini më la në stol, shkova te Branca dhe i thashë: ‘Po nxirrni jashtë portierin më të mirë në botë’. Nuk ishte mendjemadhësi, e besoja vërtet.”
Megjithatë, pavarësisht ofertave të shumta, Toldo vendosi të qëndronte te Interi.
“Më kërkonin Liverpooli dhe Bayern-i, por unë doja të fitoja me Interin. Vite më parë më kishte kërkuar edhe Barcelona, por edhe aty thashë jo. Serie A e kohës sime ishte maja e futbollit. Nuk kishte asgjë më të mirë.”
Dhe pikërisht këtu vjen një prej rrëfimeve më interesante të Toldo-s:
“E dini çfarë? Fitorja si zëvendës janë ato që kam shijuar më shumë. Gjatë sezonit të Tripletës i thashë vetes: ‘Nëse fitojmë, largohem’. Dhe kështu ndodhi.”
Goli ndaj Buffonit: “I thashë Cuperit se do të shkoja në zonë”
Një prej momenteve më të veçanta ishte goli i shënuar ndaj Juventusit në “San Siro”.
“T’i shënosh Buffonit në San Siro kundër Juventusit ishte epike. Madje ia kisha thënë edhe Cuperit: ‘Trajner, nëse jemi duke humbur, do të shkoj në zonë dhe do të shënoj’. Vieri festoi, por goli ishte 100 për qind i imi. Dhe nuk ishte i vetmi që i shënova Buffonit.”

Toldo kujton edhe një tjetër gol ndaj portierit të Juventusit, këtë herë gjatë përgatitjeve për Botërorin 2002.
“Në stadiumin Flaminio, gjatë stërvitjes para Botërorit 2002, luajtëm një ndeshje të vogël dhe unë luaja sulmues. Shënova golin e fitores, sërish ndaj Gigitt, këtë herë pa asnjë dyshim. Festova sikur të kisha shënuar në finalen e Champions League. Por dy gola ndaj Buffonit brenda pak muajsh, kur të ndodh përsëri?”
Rivaliteti me Buffon: “Nuk kemi qenë miq”
Për marrëdhënien me Gianluigi Buffon, Toldo tregon se mes tyre kishte një rivalitet të fortë.
“Ai ishte i pari në kombëtare, unë zëvendësuesi i tij. Ishim një grup i mirë, por me Gig-in nuk kemi qenë kurrë miq. Kishte një nivel shumë të lartë konkurrence, të dy donim të jepnim maksimumin. Për më tepër, kishim shumë respekt për njëri-tjetrin, si portierë dhe si njerëz.”
Toldo thotë se kishte krijuar marrëdhënie më të afërt me Francesco Tottin, Filippo Inzaghin dhe Alessandro Del Pieron.
“Me Gigin kishte një fije rivaliteti, pasi ishim kolegë në një garë të vazhdueshme për një vend.”
Ndërsa për Julio Cesar, ish-portieri italian ka vetëm fjalë të mira.
“Jemi miq, e dua shumë. Kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë, që nga ardhja e tij. Konkurrencë dhe korrektësi. Besoj se fakti që më kishte mua si zëvendësues e shtyu të ngrinte nivelin dhe të mos relaksohej kurrë.”
“5 maji më ka shënuar, ende dhemb”
Kur pyetet për momentin më të keq të karrierës, Toldo nuk ka asnjë dyshim.
“5 maji, pa diskutim. Ishte një ditë që më ka shënuar. Ende dhemb.”
Batistuta: “Kalonim orë duke u stërvitur bashkë”
Toldo kujton me shumë nostalgji edhe periudhën te Fiorentina dhe marrëdhënien me Gabriel Batistutën.
“Një prej sulmuesve më të fortë dhe më të kompletuar që kam parë ndonjëherë. Kishim një cilësi të përbashkët, unë dhe Bati: prirjen për sakrificë. Kalonim orë duke u stërvitur bashkë: ai gjuante pa pushim, unë prisja topat. Njerëzit vinin të na shikonin ndërsa përballeshim pas stërvitjeve. Ishim kthyer në një spektakël për tifozët e Violës.”
Cecchi Gori dhe Moratti
Në atë Fiorentina president ishte Vittorio Cecchi Gori. “Sapo kishte trashëguar gjithçka nga babai. E ndiente presionin: vinte në dhomat e zhveshjes dhe bërtiste aq fort sa dukej sikur do të shembeshin muret. Por ishte njeri i mirë, të kuptonte dhe dinte të dëgjonte.”
Ndërsa për Massimo Morattin, presidentin e Interit, Toldo thotë: “Edhe Moratti ishte një president i madh: i vërtetë, prindëror, i apasionuar. Kishte më shumë qetësi, bërtiste shumë më pak.
Bënte më pak spektakël. Mbaj mend takimin e parë, kur e pyeta nëse mund t’i flisja në mënyrë familjare. Më tha jo. Me kalimin e kohës e kuptova. Moratti mbante një distancë të caktuar, por në të njëjtën kohë ishte i vëmendshëm ndaj gjithçkaje.”
Toldo kujton edhe një episod pas një periudhe të vështirë.
“Një herë, pas një periudhe të vështirë, erdhi në Appiano dhe na dhuroi nga një medaljon, për të na bërë të kuptonim se besonte tek ne.”
“Nuk më mungon aspak futbolli”
Në fund, Toldo flet për largimin nga futbolli dhe nëse i mungon ajo jetë.
Përgjigjja është e prerë: “Aspak. Dita e parë pa fushë ishte një çlirim. Jam një njeri i lumtur, me shumë interesa, nuk ekziston vetëm futbolli. Ishte një periudhë e bukur, e gjatë dhe e vështirë. Është një botë më vete, një flluskë që rrezikon të ndryshojë perceptimin tënd për realitetin. Unë kam mbetur gjithmonë i njëjti. Prandaj jo, nuk më mungon dhe nuk do të kthehesha kurrë.”/ad
