Brenda 400 milisekondash, truri dhe muskujt e fytyrës fillojnë t’i përgjigjen buzëqeshjes së një personi tjetër, duke vënë në lëvizje një varg reagimesh që studiuesit sapo kanë nisur t’i kuptojnë.
Herën tjetër kur dikush t’ju buzëqeshë, ka shumë të ngjarë që fytyra juaj t’ia kthejë buzëqeshjen para se ta kuptoni. Brenda 300 deri në 400 milisekondash — afërsisht sa një pulitje sysh — muskujt e fytyrës suaj fillojnë të pasqyrojnë shprehjen e tij.
Psikologët e quajnë këtë reagim automatik “mimikë emocionale” dhe studimet e reja sugjerojnë se ai mund të ndikojë në një nga vendimet më të rëndësishme që marrim për njerëzit e tjerë: nëse duhet t’u besojmë apo jo.
Ky pasqyrim i pavullnetshëm ka një funksion.
“Ne imitojmë njëri-tjetrin sepse kjo na ndihmon të krijojmë afërsi”, thotë Michał Olszanowski, studiues i psikologjisë në Universitetin SWPS.
Shkencëtarët e dinë prej kohësh se kopjimi i shprehjeve të dikujt tjetër bën që ai person t’ju pëlqejë dhe t’ju besojë më shumë. Por Olszanowski dhe kolegët e tij pyetën veten nëse mund të ishte e vërtetë edhe e kundërta: A mund ta ndryshojë imitimi i buzëqeshjes së dikujt mënyrën se si ndiheni ndaj tij?
Në një studim të vitit 2026, të botuar në revistën Emotion, studiuesit zbuluan se sa më fort ta pasqyronte një person në mënyrë të pavetëdijshme një buzëqeshje, aq më të besueshme e vlerësonte fytyrën që buzëqeshte dhe aq më shumë burime ishte i gatshëm të ndante në një lojë të bazuar te besimi.
Kur pjesëmarrësit kryenin lëvizje të fytyrës që e përforconin imitimin e buzëqeshjes, vlerësimet e tyre për besueshmërinë rriteshin. Kur aftësia për ta imituar buzëqeshjen bllokohej, këto vlerësime uleshin.
Këto gjetje sugjerojnë se një nga gjykimet tona më të rëndësishme shoqërore mund të nisë nga diçka aq e thjeshtë sa një buzëqeshje e përbashkët.
Një reaksion zinxhir që nis në tru
Si mundet që imitimi i buzëqeshjes së dikujt ta bëjë atë të duket më i besueshëm? Studiuesit thonë se përgjigjja nis me një reaksion zinxhir në tru, që zhvillohet brenda një fraksioni të sekondës.
Imitimi i buzëqeshjes e ka bazën në sistemin e neuroneve pasqyrë të trurit, thotë neuroshkencëtari Marco Iacoboni nga UCLA. Neuronet pasqyrë aktivizohen si kur kryeni vetë një veprim, ashtu edhe “vetëm duke parë veprimin që po bën dikush tjetër”.
Ndërsa fytyra juaj ia kthen buzëqeshjen, ajo e shtyn edhe trurin drejt një gjendjeje më pozitive — një dukuri e njohur si hipoteza e reagimit të fytyrës. Një studim i vitit 2017 zbuloi se buzëqeshja mund ta përmirësojë humorin, ndërsa zbutja e vrenjtjes me botoks mund të ndihmojë në reduktimin e depresionit.
Buzëqeshja aktivizon gjithashtu qarqet e shpërblimit në tru, thotë Paula Niedenthal, psikologe sociale në Universitetin e Wisconsin-Madison. “Një mundësi është që u besojmë njerëzve, buzëqeshjen e të cilëve e imitojmë, sepse ky imitim na krijon ndjenja pozitive.”
Kur imitojmë buzëqeshjen e dikujt, fytyrat tona lëvizin për pak çaste në sinkron dhe kjo harmoni e vogël krijon atë që Piotr Winkielman, profesor i psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, e quan “ndjesi përkatësie në grup, sikur të jemi një e vetme”.
Ai e krahason këtë me afërsinë e menjëhershme që krijohet në vallëzime si salsa dhe tango, kur të panjohurit ndihen papritur më pranë pasi lëvizin në të njëjtin ritëm, ose me ushtarët që thonë se ndihen “si një trup i vetëm” pasi marshojnë në hap.
“Sapo sinkronizoheni me dikë në nivel biologjik”, thotë ai, “truri juaj krijon ndjesinë se mes jush ka një lloj mbivendosjeje, sikur i përkisni të njëjtit grup”.
Një studim i vitit 2017 zbuloi se, kur dy njerëz sinkronizojnë sjelljet e tyre, edhe truri i tyre fillon të sinkronizohet, duke nxitur sjellje më bashkëpunuese dhe në dobi të të tjerëve. Kur dy persona janë në harmoni si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, “ndjenja e lidhjes mes tyre rrit besimin”, thotë Iacoboni.
Besimi nuk ndikon vetëm në marrëdhëniet shoqërore; ai ka edhe pasoja të matshme për shëndetin. Një studim i vitit 2025, i botuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, zbuloi se njerëzit që u besojnë më shumë të tjerëve raportojnë nivele më të larta të mirëqenies subjektive — një tregues që lidhet me jetëgjatësinë.
Në kujdesin shëndetësor, besimi rrit zbatimin e këshillave mjekësore, duke çuar më pas në rezultate më të mira shëndetësore.
Jo çdo buzëqeshje ka të njëjtin efekt
Shkalla e besimit që krijon një buzëqeshje varet nga lloji i saj. Në një përmbledhje studimore të vitit 2017, Niedenthal dhe kolegët e saj identifikuan tri lloje të dallueshme: buzëqeshjet e shpërblimit, që shprehin emocione pozitive; buzëqeshjet e afrimit, që sinjalizojnë mungesë kërcënimi; dhe buzëqeshjet e dominimit, që shprehin status dhe epërsi.
“Të gjitha janë buzëqeshje ‘të vërteta’, por imitimi i secilës prej tyre nuk krijon domosdoshmërisht ndjenja pozitive”, thotë ajo. “Prandaj, imitimi i një buzëqeshjeje shpërblyese ka më shumë gjasa të çojë në vlerësimin se personi është i besueshëm.”
Rëndësi ka gjithashtu sa e sinqertë duket buzëqeshja. Në studimin e Olszanowskit, edhe buzëqeshjet e shtirura mjaftonin për të nxitur imitimin dhe për të rritur besimin, çka sugjeron se edhe një buzëqeshje mirësjelljeje mund të ketë ndikim të madh.
Megjithatë, Winkielman dyshon se buzëqeshjet e ndjera vërtet, të cilat zakonisht ngrenë mollëzat dhe krijojnë rrudha rreth syve, mund të kenë një efekt edhe më të fortë. Ai i referohet një përmbledhjeje të vitit 2025, e cila tregoi se shprehjet spontane prodhojnë efekte më të fuqishme se ato të shtirura.
Megjithatë, imitimi i buzëqeshjes nuk është një dukuri universale. Njerëzit me sëmundje që ndikojnë në lëvizjet e fytyrës, si Parkinsoni, ose ata që i përpunojnë ndryshe sinjalet shoqërore, përfshirë disa persona me çrregullime të spektrit të autizmit, mund t’i imitojnë shprehjet e fytyrës në mënyrë më pak të qëndrueshme.
Edhe normat kulturore mund të ndikojnë se kur buzëqeshin njerëzit dhe si interpretohen buzëqeshjet e tyre. Kjo do të thotë se e njëjta shprehje mund të mos frymëzojë të njëjtin nivel besimi kudo.
Kur buzëqeshjet bëhen digjitale
Në epokën e komunikimit digjital, emoji-t zënë vendin e buzëqeshjeve të vërteta. Dhe, deri në njëfarë mase, truri e pranon këtë zëvendësim. Studimet “tregojnë se emoji-t kanë në tru efekte të ngjashme me buzëqeshjet ballë për ballë dhe se njerëzit imitojnë emoji-t që marrin”, thotë Niedenthal.
Megjithatë, Winkielman është skeptik se ato mund të krijojnë besim në të njëjtën mënyrë si buzëqeshjet e vërteta, së pari sepse janë statike. Ai i referohet një studimi të vitit 2016, i cili tregoi se shprehjet në lëvizje nxisin imitim më të fortë sesa ato të palëvizshme.
Emoji-t gjithashtu përqendrohen kryesisht te goja, duke humbur rolin e syve, të cilin Winkielman e konsideron “mjaft të rëndësishëm për perceptimin e shprehjeve të fytyrës”. Në fund të fundit, argumenton ai, emoji-t nuk përjetohen përmes trupit; ato janë thjesht tekst. “Ato funksionojnë më shumë si një mjet komunikimi, sesa të na përfshijnë përmes fuqisë së nxitjes së emocioneve ose të sinkronizimit.”
Të gjitha efektet e një buzëqeshjeje — aktivizimi i neuroneve pasqyrë, lëvizja e muskujve të fytyrës, ndryshimi i humorit dhe ndjesia e të qenit në sinkron — janë shumë më të forta kur dy njerëz ndodhen në të njëjtën dhomë./ National Geographic-ad
