Zona arkeologjike Bylis–Klos është një nga peizazhet më të rëndësishme historike dhe kulturore në Shqipëri, ku ndërthuren trashëgimia e qytetërimit ilir, historia antike dhe peizazhi unik i Mallakastrës. Qyteti antik i Bylisit, një nga qendrat më të mëdha ilire, së bashku me Nikajën (Klosin), një nga qendrat kryesore të Koinonit të Bylinëve, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të organizimit politik, urban dhe kulturor të antikitetit.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka publikuar pamje peizazheve unike të zonës, duke theksuar bukurinë dhe vlerën e saj historike 🏛️🇦🇱. Përmes bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), po ndërmerren hapa të rëndësishëm për ruajtjen, administrimin dhe promovimin e parkut arkeologjik.
Qëllimi është që Bylis–Klos të bëhet një destinacion kryesor kulturor dhe turistik, ku vizitorët mund të ndjejnë historinë e lashtë ilire dhe të zbulojnë një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare.







