Last Updated on 29/04/2026 by Kesjana
Në komunën arbëreshe të San Demetrio Koronës në Kalabri, vendlindjen e ideologut të madh të rilindjes shqiptare, Jeronim De Rada, u përurua teatri i parë arbëresh me kapacitet 500 vendesh.
Ceremonia inauguruese, e mbajtur në kuadër të “Konventës Arbërore”, u kthye në një festë të madhe që bashkoi pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe CEO i SIGAL INSURANCE GROUP, z. Avni Ponari, si administrator i përgjithshëm i kompanisë më të madhe të sigurimeve në rajon.
SIGAL rikonfirmoi angazhimin e tij për promovimin e kulturës shqiptare dhe arbëreshe, duke mbështetur aktivitetin me praninë e 15 instrumentistëve të Orkestrës së Harqeve SIGAL, nën dirigjimin e Mjeshtrit të Madh Ermir Dizdari.
Orkestra e Harqeve SIGAL e gjallëroi skenën e teatrit të ri. Së bashku me solistë këngëtarë dhe grupin e valleve, luajtën një repertor të pasur me pjesë muzikore, këngë shqiptare dhe arbëreshe dhe krijuan një spektakël treorësh të mbushur perplot me emocione.
Orkestra e Harqeve SIGAL, e krijuar në vitin 2013, e përbërë nga instrumentistë të njohur dhe të rinj të talentuar, vijon aktivitetin e saj artistik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon. Me këtë shfaqje formacioni shtoi edhe një skenë të rëndësishme ndërkombëtare në repertorin e saj, teatrin me te ri arberesh ne Kalabri.
Kryetari i Komunës së San Demetrio Koronës, z. Ernesto Madeo, falënderoi artistët dhe z. Avni Ponari, duke vlerësuar këtë bashkëpunim si një dëshmi të fortë të lidhjeve kulturore mes botës arbëreshe dhe shqiptare.
Teatri i ri arbëresh pritet të shërbejë si një qendër e rëndësishme e artit, kulturës dhe edukimit të brezave të rinj me dashurinë për identitetin shqiptar dhe Arbëresh, komunitet i cili për më shumë se 500 vite ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij në zemër të Europës si një pasuri e çmuar të kulturës shqiptare.
