Kryeministri Edi Rama ka replikuar në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Blendi Himçi, për çështjen “Becchetti”, duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me vendimin e arbitrazhit. Rama tha se nuk ka deklaruar se nuk e njeh vendimin e arbitrazhit, por se Francesco Becchetti, sipas tij, nuk do të marrë asnjë lek nga shteti shqiptar.
Kryeministri kundërshtoi gjithashtu pretendimet e opozites se Becchetti ka marrë 100 milionë euro, duke deklaruar se deri tani “ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar”.
Rama tha se Shqipëria ka ndjekur rrugën ligjore dhe se aktualisht janë në zhvillim disa procese me subjektin në fjalë. Ai pretendoi gjithashtu se ka një proces penal jashtë Shqipërisë.
Kryeministri u ndal edhe te fondet e Albcontrol të mbajtura të ngrira, duke shprehur bindjen se ato do t’i rikthehen Shqipërisë.
“Meqë më doli emri, një saktësim. Nuk kam thënë se nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Kam thënë se ai subjekti që e fitoi atë çështje do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Pavarësisht se partia juaj tha se ai mori 100 milionë euro, dua t’ju informoj se ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Si shumë të tjerë që, kur kapen pas Shqipërisë padrejtësisht, pastaj, për një arsye ose një tjetër, nuk u shkon mbarë jeta, ai, sot që flasim, së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do të përballet me drejtësinë.
Më herët sesa vonë, të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do t’i kthehen shtetit shqiptar. Koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar, këtë kam thënë unë. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Ka edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Për fatkeqësinë tuaj, që keni shpërndarë atë lajm, ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Të gjitha lekët e mbajtura të ngrira do të kthehen në Shqipëri më herët sesa vonë”, theksoi Rama./k.m
