Last Updated on 27/06/2025 by adminfjala
Ja çfarë bëri një vajzë shtatëvjeçare në fotografitë eartistes polake Aneta Grzeszykowska
Nga Ariela Bard
Në një prej fotografive të artistes polake Aneta Grzeszykowska, vajza e saj shtatëvjeçare, Francziska, qëndron buzë lumit Liwiec, mbi barin e egër, veshur me një rrobë banje vjollcë dhe pantallona të shkurtra xhins. Ajo ka kthyer fytyrën nga uji i mykur, ndërsa pranë saj, në një karrocë dore, ndodhet trupi i nënës së saj – pa kokë.
Në një imazh tjetër, po aq i dykuptimtë, Francziska i mban kokën nën ujë. Në një tjetër, të dyja notojnë krah për krah, si Ofelia në ëndërr.
Por figura e Grzeszykowskës në këto foto nuk është vetë artistja, por një kukull silikoni e bërë me dorë, një kopje realiste e saj, e krijuar për serinë prej 25 fotografish me titull “Mama”, e cila ndodhet aktualisht në ekspozitën e Buxton Contemporary në Melburn.
“Të gjitha veprat e mia janë një lojë me shikuesin” – thotë Aneta Grzeszykowska, e fotografuar në shtëpinë e saj.
Në “Mama”, Grzeszykowska ndërmerr një akt subversiv: i dorëzohet vetë, në trajtën e një kukulle – simbol i shumëpërfolur i feminitetit – vajzës së saj, e cila luan me të, e kujdeset për të, por edhe e frikëson. Një përmbysje e një prej marrëdhënieve më të shenjta – asaj mes nënës dhe fëmijës.
“E gjithë puna ime është një lojë me shikuesin”, më thotë Grzeszykowska nga shtëpia e saj në Varshavë, ku jeton me bashkëshortin, artistin dhe bashkëpunëtorin e vjetër Jan Smaga, vajzën Francziska dhe kafshët e tyre shtëpiake. Një mace kalon përpara ekranit, duke i fshirë bishtin në fytyrë.
Në një nga fotografitë më të forta të serisë, “Mama #29”, shohim dorën e vajzës që shtrëngon qafën e kukullës. “Kush nuk ka dashur ta mbytë mamanë të paktën një herë në jetë?”, thotë me një buzëqeshje të errët artistja.
Grzeszykowska kërkon ndjesë për anglishten e saj, që në të vërtetë është e shkëlqyer. Ajo shqetësohet se ndonjëherë nuk arrin të përçojë thellësinë e ideve të saj, por unë nuk e vërej këtë aspak. “‘Mama’ flet për marrëdhënien nënë–fëmijë,” thotë ajo. “Por shikuesi harron se nëna e vërtetë – unë – është jashtë kornizës, duke bërë fotot. Harron personin që tërheq fijet. Gjithçka bëhet për atë që sheh, jo kush e krijon skenën.”
Katërmbëdhjetë nga imazhet e “Mama” janë përfshirë në ekspozitën “The Veil”, kuruar nga Hannah Presley, e cila eksploron kujtesën dhe identitetin përmes fotografisë, filmit, artit me fibra, grafikës dhe skulpturës. Bashkë me Grzeszykowskën marrin pjesë edhe artistët Hayley Millar Baker, Hannah Gartside, Glenda Nicholls, Lisa Waup dhe Lena Yarinkura.
Grzeszykowska është rritur në Varshavë dhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, në një kohë kur qyteti kishte vetëm një galeri private: avangardën Galeria Foksal, e hapur më 1966. Kur ajo u diplomua në vitin 1999, vetëm një dekadë pas rënies së Bllokut Lindor, skena e artit bashkëkohor po merrte hov. Përfaqësues nga galeria Raster, në atë kohë e sapolindur, erdhën në akademi për të kërkuar talente të reja.
“Ishte e bezdisshme!” thotë ajo me të qeshur, duke kujtuar sa naive kishte qenë. “Nuk e kuptonim fare se çfarë do të thoshte të të përfaqësonte një galeri. Por pastaj pamë artistë si Wilhelm Sasnal që arritën suksese të mëdha. Dhe papritur, e imagjinonim veten si artistë me kohë të plotë, pa pasur nevojë për punë praktike.”
Grzeszykowska ka përdorur gjithmonë trupin e saj si mjet artistik – pjesërisht, siç thotë ajo, për arsye praktike. Ajo e pranon se është një “kontrolluese e lindur” dhe i pëlqen të punojë vetëm.
Veprat e saj të hershme përpiqeshin ta ndihmonin të kuptonte vendin e saj në një botë të re. Një mënyrë ishte të futej brenda historisë së artit feminist, gjë që e bëri në serinë “Untitled Film Stills (2006)”, një ripërpunim i hollësishëm i fotografive të Cindy Sherman. “Në thelb e fshiva Cindy Sherman nga fotot, duke vendosur trupin tim në vend të saj. Por në të njëjtën kohë është një vetë-fshirje, një ‘vetëvrasje’ simbolike artistike, sepse në fund sërish shikuesi sheh Cindy Sherman. Ishte mënyra ime për të thënë: ‘Unë mund të jem Cindy Sherman gjithashtu.’ Ishte një akt mjaft i guximshëm.”
Shumë nga veprat e saj duken si filmike. Një imazh shqetësues nga “Mama”, i shkrepur përmes një të çare të derës së banjës, tregon duart e Francziskës që zgjaten drejt shpinës dhe qafës së kukullës. Por ashtu si Hitchcock, që përdorte humorin për të shprehur errësirën dhe dhunën, edhe këtu ka diçka komike. “Unë i shoh veprat e mia si tragjikomedi,” thotë ajo. “Nuk dua që veprat e mia të jenë vetëm serioze apo vetëm të trishta. Jeta është mjaft e trishtuar vetë! Por edhe në trishtim ka vend për humor. Është mënyra jonë për të krijuar distancë – dhe me distancë vjen kuptimi. Trishtimi mund të jetë i qeshshëm. Ky kërkim i pandërprerë për perspektivë është pjesë e veprës sime, veçanërisht në anën ekzistenciale e filozofike. Nuk më pëlqen pasiguria e jetës, ideja se nuk e di çfarë vjen më pas. Por kur e fus këtë ndjesi në punën time, fitoj kontroll mbi të. Bëhet një strategji për të përballuar jetën.”
“Jeta si artiste është një privilegj,” thotë ajo. “Ka diçka të veçantë tek arti, të paktën nga këndvështrimi im: nëse diçka është shumë e vështirë në jetën reale, ajo mund të bëhet e mrekullueshme në punën tënde.”
Ekspozita “The Veil” që përfshin serinë “Mama”, është e hapur në Buxton Contemporary, Universiteti i Melburnit, nga 27 qershori deri më 1 nëntor. Hyrja është falas.
Burimi: Theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi