Last Updated on 18/04/2026 by Kesjana
Për të dytin vit radhazi, Tirana u kthye në epiqendrën e artit dhe kreativitetit me zhvillimin e “Muse-X”, një event ndërkombëtar që bashkoi qindra artistë vendas dhe të huaj. Me pjesëmarrje të gjerë dhe energji krijuese, aktiviteti konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe bashkëpunimit artistik në nivel ndërkombëtar.
Në ceremoninë e hapjes, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e nismave të tilla për zhvillimin e skenës artistike dhe pozicionimin e Tiranës si një destinacion kulturor në rritje. Sipas tij, arti nuk është vetëm krijim estetik, por edhe një mjet reflektimi dhe ndikimi në shoqëri, ndërsa mbështetja institucionale për iniciativa të tilla mbetet thelbësore për zhvillimin e sektorit kulturor në vend.
Themeluesi dhe organizatori i “Muse-X”, Luel Muhametaj, e cilësoi eventin si një platformë unike që bashkon artin, industrinë dhe edukimin në një hapësirë të përbashkët krijuese. Ai theksoi se zhvillimi i aktivitetit në Piramidën e Tiranës simbolizon transformimin e kësaj hapësire në një qendër moderne për kreativitet dhe ide të reja, ndërsa nënvizoi se “Muse-X” funksionon si një motor krijues ku muzika, filmi dhe edukimi ndërthuren në mënyrë bashkëpunuese.
Në event morën pjesë përfaqësues dhe artistë nga mbi 24 vende të botës, me një program të pasur që përfshin panele diskutimi, workshope, premiera filmash dhe performanca artistike. Përfaqësues të institucioneve dhe vendeve pjesëmarrëse, përfshirë Italinë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësuan “Muse-X” si një platformë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe krijimin e urave të reja të dialogut artistik.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, theksoi zhvillimet në industrinë e filmit në Shqipëri, duke vënë në dukje përpjekjet për krijimin e një kuadri të ri ligjor, incentiva fiskale për produksionet dhe zgjerimin e infrastrukturës kinematografike në vend.
Ndërkohë, drejtoresha e Agjencisë së Industrive Kreative, Iris Cani, vuri në dukje rolin e artit në jetën e përditshme dhe ndikimin ekonomik të aktiviteteve të tilla, duke theksuar se promovimi i tyre ndihmon në rritjen e interesit për Tiranën si destinacion kulturor dhe turistik.
“Muse-X” u vlerësua nga pjesëmarrësit si një platformë strategjike ndërkombëtare që bashkon artin, kulturën dhe industrinë kreative, duke forcuar bashkëpunimin mes vendeve dhe duke krijuar mundësi të reja për artistët dhe profesionistët e sektorit. Me program të gjerë dhe pjesëmarrje të konsiderueshme ndërkombëtare, eventi po konsolidohet si një pikë referimi në skenën kulturore shqiptare dhe rajonale./kb
