Edi Rama mblodhi deputetët dhe drejtuesit e strukturave të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, në një takim pune të zhvilluar në periferi të kryeqytetit.
Takimi është pjesë e serisë së mbledhjeve që kryesocialisti ka zhvilluar ditët e fundit me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, në kuadër të organizimit të PS-së për sezonin e ri politik dhe përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në përfundim të takimit, Rama ka publikuar edhe një përmbledhje të diskutimeve, duke e vënë theksin te organizimi i strukturave dhe mënyra e komunikimit me qytetarët.
“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë patëm një diskutim të dobishëm për organizimin e pranisë besnike, metodologjinë e Besës dhe sistemin e ri të Pasqyrë Albania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkruan kryeministri.
PS: Nuk mjafton beteja për faktet, sfida është perceptimi
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit të prezantuar në takimin me strukturat e PS-së lidhet me mënyrën se si formohet perceptimi publik.
Sipas materialit, beteja politike nuk zhvillohet vetëm për faktet, por edhe për mënyrën se si qytetarët e perceptojnë realitetin.
Në dokument theksohet se sot është gjithnjë e më e vështirë të dallohet se çfarë duhet besuar. Për këtë arsye, socialistët evidentojnë tre mekanizma përmes të cilëve, sipas tyre, mund të krijohet një perceptim i deformuar: një manipulim mund të ushqehet nga një pakënaqësi reale, një ndjenjë mund të shndërrohet në “fakt” përmes përsëritjes dhe një pakicë e zhurmshme mund të perceptohet si shumicë.
Materiali i njëjtë është prezantuar edhe në qarqe të tjera nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste.
Tirana, sfida e madhe e PS-së për 2027
Në sfondin e këtyre zhvillimeve politike qëndron edhe gara për Bashkinë e Tiranës.
Takimi i socialistëve vjen një ditë pas zhvillimeve të reja rreth drejtimit të bashkisë, pasi kryebashkiaku Erion Veliaj, nga paraburgimi, la Bashkinë e Tiranës pa një kryetar të komanduar, duke i hequr këtë kompetencë nënkryetares Anuela Ristani.
Ndërkohë, brenda Partisë Socialiste ka nisur prej kohësh diskutimi për kandidatin që do të garojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Mes emrave të përmendur është Ogerta Manastirliu, e cila u propozua publikisht nga Edi Rama në shtator të vitit të kaluar.
Por në garë ka hyrë edhe Erion Braçe. Deputeti socialist i Tiranës ka kërkuar vazhdimisht që kandidati i PS-së për bashkinë më të madhe të vendit të përcaktohet përmes një gare brenda partisë.
Me zgjedhjet vendore të 2027-ës në horizont, Tirana pritet të mbetet një prej betejave kryesore politike për Partinë Socialiste, ndërsa mënyra e komunikimit me qytetarët dhe menaxhimi i perceptimit publik duket se do të jenë pjesë e rëndësishme e strategjisë së re të saj./ad
