Last Updated on 14/03/2026 by Anisa
Gjatë dy javëve të para të luftës së fundit në Lindjen e Mesme, ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit godisnin objekte ushtarake dhe energjetike në të gjithë Iranin, një vend mbeti dukshëm i paprekur.
Pavarësisht madhësisë së tij shumë të vogël, ishulli Kharg është një arterie jetike ekonomike për Iranin, pasi përmes tij kalon rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të vendit. Kjo do të thotë se çdo sulm ndaj tij rrezikon një përshkallëzim të madh të konfliktit.
Por të premten, Shtetet e Bashkuara goditën objekte ushtarake në ishull. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe mediave shtetërore iraniane, objektet që lidhen me tregtinë e naftës nuk u goditën. Megjithatë, Donald Trump ka kërcënuar se mund të godasë edhe ato nëse Irani vazhdon të bllokojë anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Pothuajse çdo ditë, miliona fuçi naftë bruto rrjedhin nga fushat kryesore të Iranit – përfshirë Ahvaz, Marun dhe Gachsaran – përmes tubacioneve drejt ishullit, i cili njihet mes iranianëve si “Ishulli i Ndaluar”, për shkak të kontrollit të rreptë ushtarak.
Molat e gjata të tij, që shtrihen në ujëra mjaft të thella për të pritur super-tankerë nafte, e bëjnë ishullin një pikë kritike për shpërndarjen e naftës. Aty përpunohet dhe ngarkohet 90% e eksporteve të naftës së Iranit.
Ishulli ka qenë prej kohësh thelbësor për ekonominë iraniane. Një dokument i vitit 1984 nga Central Intelligence Agency e përshkruante si “më jetikun në sistemin e naftës së Iranit dhe funksionimi i tij i vazhdueshëm është thelbësor për mirëqenien ekonomike të vendit.”
Së fundmi, lideri i opozitës izraelite Yair Lapid deklaroi se shkatërrimi do të “gjymtonte ekonominë e Iranit dhe do të rrëzonte regjimin.”
Sipas Reuters, Irani furnizon me rreth 4.5% të naftës globale, duke prodhuar çdo ditë rreth 3.3 milionë fuçi naftë bruto dhe 1.3 milionë fuçi kondensate dhe lëngje të tjera.
Sipas platformës së monitorimit të transportit të naftës TankerTrackers.com, ishulli ka vazhduar të ngarkojë cisterna pa ndërprerje që nga fillimi i luftës, duke përdorur imazhe satelitore, fotografi nga bregu dhe të dhëna të tjera për të ndjekur dërgesat e naftës.
Në javët që i paraprinë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, eksportet nga Kharg u rritën në nivele pranë rekordit, sipas bankës amerikane të investimeve JPMorgan Chase.
Kapaciteti i magazinimit në Kharg vlerësohet në rreth 30 milionë fuçi, ndërsa rreth 18 milionë fuçi naftë ndodhen aktualisht të depozituara atje, sipas analistëve të tregtisë globale në Kpler, raporton Reuters.
Donald Trump njoftoi të premten se ushtria amerikane kreu atë që ai e quajti “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”, duke shkatërruar objekte ushtarake në Ishullin Kharg.
Video të publikuara në Truth Social dhe të verifikuara nga CNN tregojnë sulmet amerikane ndaj objekteve të aeroportit dhe pistës së avionëve në ishull.
Një zyrtar ushtarak amerikan i tha CNN se sulmet ishin në shkallë të gjerë, por shmangën goditjen e infrastrukturës së naftës në ishull. Objektivat përfshinin depo të minave detare, bunkerë për ruajtjen e raketave dhe infrastruktura të tjera ushtarake.
Irani raportoi më shumë se 15 shpërthime në ishull, por deklaroi se asnjë infrastrukturë nafte nuk u dëmtua, sipas agjencisë së lajmeve Fars, e lidhur me shtetin.
Megjithatë, Trump paralajmëroi se mund të godasë asetet e naftës në ishull nëse Irani vazhdon të bllokojë anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Çfarë ndikimi do të kishin sulmet në luftë dhe në çmimet globale të naftës?
Irani ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj infrastrukturës së tij të naftës dhe energjisë do të pasohet me kundërsulme ndaj objekteve energjetike në rajon që u përkasin kompanive të naftës aleate të SHBA-së, raportuan mediat shtetërore iraniane duke cituar komandën ushtarake në Teheran.
Sipas ish-gjeneralit të ushtrisë amerikane Mark Kimmitt, sulmet e fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit të luftës.
“Situata ka kaluar nga një strategji për të goditur ushtrinë dhe regjimin, në një përpjekje të mundshme për të goditur arterien ekonomike të këtij vendi,” tha ai.
Kimmitt shtoi se SHBA po e përdor ishullin si presion për të detyruar Iranin të lejojë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, mbyllja e së cilës tashmë ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm.
Nëse infrastruktura e naftës do të goditej, sipas tij, Irani me shumë gjasë do të sulmonte objektet energjetike në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme.
“Në atë moment, çmimet e naftës do të dilnin jashtë kontrollit,” shtoi ai.
Çfarë mund të ndodhë më pas?
Nëse objektet e naftës në Kharg do të shkatërroheshin, Iranit mund t’i duheshin muaj ose edhe më shumë se një vit për t’i rindërtuar, tha për CNN analistja e naftës në Kpler, Muyu Xu.
Ajo shtoi se, duke qenë se Kina është blerësi kryesor i naftës iraniane, ajo do të ishte ndër vendet më të prekura nga një goditje e tillë.
“Irani vazhdon të përballet me sanksione perëndimore dhe nuk ka akses të mjaftueshëm në financa, teknologji dhe ekspertizë, ndaj rindërtimi do të ishte shumë i vështirë,” tha Xu.
Analistët paralajmërojnë se Irani mund të përshkallëzojë më tej konfliktin duke sulmuar infrastrukturën e naftës në rajon. Ai tashmë ka goditur depo nafte në vendet aleate të SHBA-së si Omani dhe Bahreini, si dhe ka shënjestruar cisterna dhe anije mallrash në Gjirin Persik.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka paralajmëruar se do të “vërë flakën” infrastrukturës së naftës dhe gazit në rajon nëse objektet energjetike të Iranit sulmohen.
Sulmet në Kharg erdhën në një moment kur SHBA njoftoi se do të dërgojë në Lindjen e Mesme një njësi reagimi të shpejtë me rreth 2,500 marinsa dhe marinarë.
Ish-gjenerali Kimmitt ngriti edhe mundësinë që kjo forcë mund të përdoret për pushtimin e Ishullit Kharg, megjithëse ende nuk është e qartë se ku dhe për çfarë do të dislokohet saktësisht kjo njësi.
Tradicionalisht, këto njësi përdoren për evakuime të mëdha, operacione amfibe dhe sulme nga deti në tokë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Ishullit Kharg do të kërkonte një numër të madh trupash tokësore, diçka që administrata Trump deri tani ka qenë hezituese ta ndërmarrë.CNN/fjala.al-AD

