Pamundësia e presidentit për të dalluar të drejtën nga e gabuara ushqen sjelljen e tij gjithnjë e më diktatoriale, të paligjshme dhe të çrregullt
Simon Tisdall*
Sipas llogaritjeve të publikuara në vitin 2021 nga Washington Post, Donald Trump bëri 30.573 pretendime “të rreme ose çorientuese” gjatë mandatit të tij të parë. Kjo i bie rreth 21 gënjeshtra në ditë. Edhe herën e dytë, ai vazhdon me të njëjtin ritëm, duke gënjyer amerikanët dhe botën çdo ditë. Mospërfillja e Trumpit për të vërtetën dhe ndershmërinë në jetën publike – e dukshme sërish në reagimin e tij të neveritshëm ndaj të shtënave vdekjeprurëse në Minneapolis – është rrezikshëm imorale.
Trump deklaroi javën e kaluar se kufizimi i vetëm i pushtetit të tij është “moraliteti im, mendja ime”. Kjo shpjegon shumëçka. Ideja e tij për të drejtën dhe të gabuarën është krejtësisht subjektive. Ai është këshilltari i vet etik dhe ligjor, prifti dhe rrëfimtari i vet. Është një kishë me një besimtar të vetëm. Trump i gënjen vetes po aq sa të tjerëve. Dhe dëmi që vjen prej kësaj është shkatërrues: kushton jetë njerëzish, dëmton demokracinë dhe shkatërron besimin mes kombeve.
Ashtu si votuesit amerikanë, edhe udhëheqësit e huaj janë mësuar me gënjeshtarinë kronike të presidentit. Por çmimi për ta toleruar atë, për të mos e demaskuar, për të mos mbajtur qëndrim, rritet në mënyrë eksponenciale teksa sjellja e tij bëhet gjithnjë e më diktatoriale dhe e çrregullt. Gënjeshtrat dhe mashtrimet e Trumpit janë faktor përkeqësues i përbashkët në tre kriza ndërkombëtare të pazgjidhshme të ditëve tona.
Ai pretendon rrejshëm, për shembull, se anije luftarake kineze dhe ruse janë “kudo” në Groenlandë, duke e bërë të domosdoshme një marrje nën kontroll nga SHBA. “Ahoy! Cilat anije?” – pyet ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, i cili – ndryshe nga ndërtuesi i perandorive në Uashington – ka njohuri të drejtpërdrejtë për ishullin vetëqeverisës. Groenlandezët i hedhin poshtë komentet e Trumpit si marrëzi.
Danimarka thekson se shpenzon miliarda në Groenlandë dhe se një vërshim i supozuar investimesh kineze është një tjetër gënjeshtër e Shtëpisë së Bardhë. Sondazhet tregojnë se groenlandezët kundërshtojnë aneksimin ose “shitjen” te Trumpi. Ata preferojnë pavarësinë – gjë që SHBA-ja, duke festuar 250 vjetorin e largimit të Mbretit George III, pritet ta kuptojë. Trump thotë se dëshiron të sigurojë Groenlandën. Në të vërtetë, ai dëshiron të sigurojë pasuritë e saj minerare – dhe ta bëjë Amerikën “më të madhe” sërish.
Një përmbytje e vërtetë gënjeshtrash i parapriu grushtit të shtetit në Venezuelë fundjavën e kaluar. Trump pretendoi, pa prova, se udhëheqësi i vendit, Nicolás Maduro, ishte një “bos kartele narco-terroriste”. Administrata e tij vrau mbi 100 persona në varka në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor, mbi dyshime të pabazuara për trafik droge. Ai shpalli rrejshëm se SHBA ishte në luftë, duke uzurpuar në mënyrë të paligjshme autoritetin kushtetues të Kongresit.
E vërteta është se Trump ka ndjekur një hakmarrje personale ndaj Madurros që prej dështimit të planit të tij për ndryshim regjimi në vitin 2018. E vërteta është se, siç e pranon tani Trumpi, qëllimi kryesor i grushtit të shtetit nuk është rivendosja e demokracisë – edhe pse ai më në fund ka rënë dakord të takohet me udhëheqësen e opozitës, María Corina Machado. Nuk është as “shpëtimi” i popullit të Venezuelës, as mbrojtja e sigurisë amerikane. Qëllimi është nafta. Trump po e plaçkit vendin pa turp e pa mëshirë, ndërsa kërcënon edhe Meksikën, Kubën dhe Kolumbinë.
Trump thotë se ka një “plan” për ta drejtuar Venezuelën pafundësisht. Edhe kjo është një gënjeshtër tjetër. Me forcat e armatosura dhe milicitë ende të paprekura, me regjimin shtypës të Madurros ende në këmbë dhe me një opozitë demokratike të guximshme e të vendosur për të marrë pushtetin, vendi po shkon drejt një përballjeje. Vetëm një ndërhyrje ushtarake amerikane më e thellë dhe e zgjatur – me të cilën Trump po luan – mund të ndalë rrëshqitjen drejt kaosit. Ai po rrezikon një batak ballkanik në pragun latino-amerikan të Uashingtonit.
Duke folur për batakë, le të mendojmë për Ukrainën – një zonë e tretë konflikti ku paaftësia e Trumpit për të dalluar të drejtën nga e gabuara, të vërtetën nga gënjeshtra, shkakton dëm të madh. Trump gënjeu kur këmbënguli se mund ta përfundonte lehtësisht luftën me Rusinë për 24 orë. I penguar, ai ka premtuar vazhdimisht se do të ashpërsohet me Vladimir Putinin. Herë pas here, ai kriminel i buzëqeshur – një tjetër gënjeshtar i pandreqshëm – e ka mashtruar me zgjuarsi dhe më pas ka rifilluar bombardimet. Herë pas here, Trump tërhiqet dobët, zakonisht duke fajësuar udhëheqësin e pafajshëm të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Dyfytyrësia e Trumpit minon përpjekjet e aleatëve për të mbështetur qëndresën e Kievit. Një ditë ai pranon me vetëkënaqësi lavdërimet e yndyrshme të udhëheqësve të NATO-s; sekretari i përgjithshëm, Mark Rutte, e quan atë “Babi”. Ditën tjetër, ai tall aleancën dhe thotë se Europa përballet me “zhdukje civilizimi”. Javën e kaluar ai pretendoi se NATO nuk do ta ndihmonte SHBA-në në rast emergjence. Një tjetër gënjeshtër. Pikërisht këtë bëri pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe gjatë 20 viteve të endjes së dështuar në Afganistan.
Krizat e sotme të njëkohshme – Groenlanda, Venezuela dhe Ukraina – ndajnë edhe faktorë të tjerë të përbashkët, përtej pandershmërisë së Trumpit. Në të tria rastet, dobësia dhe përçarjet e udhëheqësve europianë, si dhe të vetë BE-së si institucion, janë zbuluar në mënyrë alarmante. Tashmë, më në fund, Europa duhet ta pranojë se nuk mund t’i besojë apo të mbështetet te ky president. Në këtë kontekst të frikshëm gjeopolitik, Brexit-i nuk duket më thjesht një gabim budalla. Duket pothuajse vetëvrasës.
Mospërfillja e së drejtës ndërkombëtare, shkelja e të drejtave sovrane dhe e pavarësisë territoriale, si dhe zëvendësimi i vazhdueshëm i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – të mbështetur nga OKB-ja – me sfera neo-imperiale ndikimi, janë të dukshme në të treja krizat. Po ashtu, edhe dështimi për të mbrojtur të drejtat demokratike të njerëzve të zakonshëm. SHBA-ja ka përjashtuar me arrogancë dhe në mënyrë të paligjshme zgjedhjet në Venezuelë. Rusia po përpiqet të vrasë demokracinë e Ukrainës. Groenlandezët thonë se vetëm ata duhet të vendosin për të ardhmen e tyre. Por kush po i dëgjon?
Shumë nga këto prirje të gjera kishin kohë që ishin vendosur. Por sjellja destabilizuese, pa parime, e paligjshme, kaotike dhe thelbësisht imorale e Trumpit në vitin 2025 ka vepruar pa dyshim si katalizator dhe përshpejtues. Nga të gjitha këto të këqija, prishja morale e tij është më e madhja. Ajo korrupton, mallkon, errëson dhe helmon njerëzimin e botës. Është toksike për gjithçka që prek. Trumpizmi është një sëmundje gërryese. Viktimat e saj më të fundit janë në Minneapolis dhe Portland. Në të vërtetë, ato janë kudo.
Për ta shtrembëruar Mark Twain-in:
“Ka tri lloje gënjeshtrash: gënjeshtra, gënjeshtra të ndyra dhe Donald Trump.”
Amerikanët dhe miqtë e tyre tepër të përmbajtur në Britani dhe Europë duhet të jenë më të vendosur në të thënit të vërtetën përballë pushtetit – përpara se, si George III i shumëurryer, Trump të bëjë diçka vërtet të çmendur.
*Simon Tisdall është komentator i çështjeve të jashtme në “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
