Nga Leonard Veizi
Gjaku është ndoshta e vetmja pasuri që njeriu mund ta japë pa u varfëruar. Përkundrazi, duke e dhënë, ai pasurohet shpirtërisht, ndërsa organizmi i tij e ripërtërin natyrshëm atë që ka dhuruar. Është i vetmi donacion që nuk del nga portofoli, por nga vetë trupi. Është një pjesë e jetës sonë që vazhdon të jetojë te dikush tjetër, një zgjatim i heshtur i ekzistencës sonë në trupin e një të panjohuri…
…Më 14 qershor bota kujton Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut. Kjo nuk është thjesht një datë në kalendarin e shëndetësisë, por një ftesë e hapur për të reflektuar mbi një nga paradokset më të mëdha të shoqërisë sonë: frikën për të ndarë atë që na tepron dhe që mund të mbajë gjallë një tjetër qenie njerëzore.
Paradoksi i egoizmit modern
Në jetën e përditshme, ne përballemi me një prirje të çuditshme njerëzore. Ruajmë me fanatizëm gjëra shumë më pak të vlefshme se gjaku: Ruajmë para që shpesh nuk na duhen; Grumbullojmë sende që nuk i përdorim kurrë; Ushqejmë inate dhe egoizma që vetëm na dëmtojnë.
Ndërsa diçka që organizmi ynë e prodhon vazhdimisht, diçka që ripërtërihet vetvetiu dhe që ka fuqinë të shpëtojë jetë, shpesh hezitojmë ta ndajmë. Ky hezitim dëshmon një largim të njeriut modern nga ndjenja e komunitetit dhe nga solidariteti njerëzor.
Ndoshta kjo ndodh sepse gjaku mbart një simbolikë të lashtë dhe të rëndë. Për mijëra vjet ai është konsideruar si vetë jeta, si bartësi i shpirtit. Në mite, në fe dhe në histori, gjaku ka qenë kufiri absolut mes ekzistencës dhe vdekjes. Kur themi “derdhi gjakun”, në kodet tona kulturore nuk nënkuptojmë thjesht një lëndim fizik, por sakrificën ekstreme: humbjen e jetës.
Heroizmi pa spektakël
Pikërisht për shkak të kësaj simbolike, dhurimi vullnetar i gjakut është një nga aktet më fisnike dhe më të pastra që mund të kryejë njeriu sot.
Në këtë akt nuk ka spektakël. Nuk ka lavdi, nuk ka kamera dhe as duartrokitje.
Shpesh nuk dihet as emri i atij që e merr, as fytyra e tij. Një i panjohur shpëton një tjetër të panjohur, duke këputur zinxhirin e interesit dhe duke ngritur një urë të padukshme humanizmi.
Në një kohë kur shoqëria kapitaliste mat gjithçka me përfitimin personal dhe vlerën e tregut, dhurimi i gjakut mbetet një nga gjestet e rralla që nuk prodhon kapital. Ai prodhon vetëm jetë.
Barazia e madhe biologjike
Mendojeni për një çast përmes thjerrëzës së urgjencës. Nëse një ditë njërit prej nesh apo njerëzve tanë më të shtrenjtë do t’u duhej gjak urgjentisht në një shtrat spitali, nuk do të na interesonte fare se kush e kishte dhuruar atë qese.
Do të mjaftonte që ai njeri, diku, në një ditë krejt të zakonshme, të kishte vendosur të linte mënjanë rutinën e tij, të shtrihej për disa minuta dhe të jepte një pjesë të vetes.
Në atë moment kritik, të gjitha ndarjet artificiale që na mundojnë dhe na përçajnë çdo ditë do të bëheshin qesharake, pothuajse absurde. Gjaku nuk njeh bindje politike. Ai nuk flet gjuhë të ndryshme dhe nuk njeh kufij gjeografikë apo mure burokratike. Ai njeh vetëm përputhshmërinë biologjike dhe nevojën e dëshpëruar për të mbajtur gjallë një organizëm që po fiket.
Matësi i vërtetë i qytetërimit
Kjo është arsyeja kryesore pse kjo ditë nuk duhet trajtuar si një fushatë rutinë mjekësore. Është një alarm që na zgjon ndërgjegjen dhe na kujton se nën të gjitha identitetet tona sipërfaqësore – nën profesionet, kostumet, flamujt, ideologjitë dhe konfliktet tona të përditshme – ne mbetemi qenie të brishta biologjike. Ne jemi krijesa që mbijetojnë falë të njëjtit lëng të kuq që qarkullon në heshtje nën lëkurën tonë.
Qytetërimi i një shoqërie nuk duhet të matet nga lartësia e ndërtesave që ngremë, as nga sasia e pasurisë që grumbullojmë nëpër banka. Ai matet pikërisht këtu: te gatishmëria jonë kolektive për t’i dhënë një shans jete një njeriu që nuk e kemi parë kurrë dhe që mbase nuk do ta njohim asnjëherë.
Sepse ka raste kur heroizmi nuk vjen me uniforma ushtarake, as me zhurmë apo medalje të rënda mbi kraharor. Ai që ndryshon rrjedhën e botës në heshtje, vjen me një gjilpërë të vogël në krah dhe me një qese gjaku që shndërrohet në dritën e shpresës për dikë që po lufton në errësirë.
