Last Updated on 20/05/2026 by EL
Qeveria e Zvicrës refuzon rritjen e moshës së pensionimit mbi 65 vjet, por ashpërson rregullat për pensionimin e parakohshëm.
Qeveria e Zvicrës ka prezantuar planet kryesore të reformës së ardhshme të sigurimeve pensionale (AHV), duke marrë një vendim të rëndësishëm, i cili prek edhe qindra mijëra mërgimtarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Përkundër presioneve të vazhdueshme nga lobet ekonomike dhe partitë e djathta, qeveria zvicerane ka vendosur të heqë dorë nga ngritja e moshës së pensionimit përtej kufirit aktual. Tani për tani mosha e pensionimit për burra mbetet 65 vjeç.
Në vend të ngritjes së moshës së pensionimit, qeveria synon të motivojë popullsinë të punojë më gjatë dhe ta bëjë dukshëm më të vështirë daljen në pension të parakohshëm. Sipas planeve të qeverisë, kjo s’do të jetë e mundur para moshës 63-vjeçare.
Qeveria ka paraparë vetëm disa përjashtime të veçanta. Largimet nga puna: Punëtorët e moshuar që humbin vendin e punës dhe përfshihen në plane sociale, mund të pensionohen para kohe që nga mosha 60 vjeç.
Zgjidhjet sektoriale: Modelet ekzistuese të pensionimit të parakohshëm për profesione të rënda, siç është rasti me sektorin e ndërtimtarisë (ku ka një përqendrim të lartë të punëtorëve shqiptarë), do të mbeten të paprekuara.
Numri i pensionistëve në Zvicër parashihet të rritet nga 2,5 në 3 milionë deri në vitin 2035. Qeveria e Zvicrës e konsideron të siguruar financimin e sistemit pensional deri në vitin 2040 pa pasur nevojë për të ngritur moshën e pensionimit mbi 65 vjet. Ky qëndrim vjen pasi populli zviceran para dy vitesh refuzoi nismën për ngritjen automatike të moshës së pensionit.
Për t’i bërë njerëzit të qëndrojnë në punë edhe pasi të mbushin 65 vjeç, qeveria do të detyrojë arkat e pensioneve që të sigurojnë të punësuarit mbi këtë moshë, nëse ata vetë dëshirojnë të vazhdojnë punën.
Reforma e prezantuar nga qeveria sapo ka hyrë në fazën e konsultimit publik, e cila do të zgjasë deri më 11 shtator 2026, përpara se projektligji përfundimtar t’i dërgohet Parlamentit zviceran në fund të vitit./et
