Channing Tatum ka reaguar ndaj thashethemeve se fshihet pas një llogarie anonime në rrjetet sociale, e cila është përdorur për të komentuar në mënyrë negative për ish-të fejuarën e tij, Zoë Kravitz, dhe të fejuarin e saj, Harry Styles.
Thashethemet nisën të qarkullonin në internet pasi përdoruesit dyshuan se Tatum ishte personi pas llogarisë @bidness_nonya, e cila komentonte rregullisht në postime dhe lajme rreth Kravitz dhe Styles. Dyshimet u shtuan edhe më shumë sepse Tatum ishte i vetmi që e ndiqte këtë llogari.

Aktori vendosi t’u përgjigjej vetë këtyre pretendimeve përmes një postimi në Instagram Story.
“Sinqerisht, nuk mund ta besoj që mendoni se këtë bëj me kohën time të lirë. Është qesharake”, shkroi ai, duke shtuar se nuk do të kishte arsye të ndiqte një llogari të tillë nëse do të donte të fshihte lidhjen e saj me të.
Tatum theksoi gjithashtu se ka vetëm një llogari në Instagram, @channingtatum, duke mohuar kështu se kishte përdorur një profil të fshehtë për të komentuar mbi jetën e ish-partneres së tij.

Llogaria në fjalë, e cila duket se është fshirë gjatë ditëve të fundit, kishte komentuar edhe një postim të fundit në Deuxmoi për një moment romantik mes Kravitz dhe Styles. Spekulimet se pas saj fshihej Tatum u përhapën aq shumë sa aktori vendosi t’i jepte fund publikisht zërave.
Tatum dhe Kravitz nisën lidhjen në vitin 2021 dhe u fejuan në vitin 2023. Ata i dhanë fund marrëdhënies në tetor 2024. Më pas, Kravitz nisi lidhjen me Harry Styles, të cilën e konfirmoi publikisht në gusht 2025. Çifti u fejua në prill./k.m
