Kur Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato u përshkruan si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre qenë të qarta.
Zyrtarët në Kosovë ngulmojnë se kërkesat e BE-së për largimin e masave që e dëmtuan vendin në vlera milionëshe janë plotësuar: situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar, serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mbajtura sivjet, dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.
Por, ditëve të fundit u raportua në mediat e Kosovës, bazuar në burime brenda BE-së, se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kanë vullnet për heqjen e sanksioneve.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, thotë se është e vërtetë që për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel këtë javë, dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.
Sipas tij, Parisi insiston në këtë qëndrim meqë kërkon që Beogradi t’i hapë kapitujt për anëtarësim në BE, dhe është i zemëruar pse të tjerët po e bllokojnë procesin.
“Ekziston edhe një argument i përgjithshëm se Brukseli nuk mund t’ia japë këtë ‘dhuratë’ [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin]Kurti para zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Nëse ky është një argument i vlefshëm apo jo, është vënë në pikëpyetje nga të tjerët, pasi partia kryesore e opozitës [Partia Demokratike e Kosovës] i dërgoi një letër [shefes së BE-së, Ursula]Von der Leyen së voni, duke kërkuar heqjen e plotë [të masave] menjëherë. Pra, nuk perceptohet si dhuratë për Kurtin nga askush, përveç një numri të vogël shtetesh të BE-së”, thotë Jozwiak.
Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian i tha REL-it se blloku evropian synon vazhdimin e heqjes së masave, proces që ka nisur pjesërisht në maj të këtij viti.
Sipas saj, Brukseli është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës, sapo të zgjidhen ato, dhe blloku pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në.
Por, për Qeverinë në detyrë të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kanë asnjë lidhje me masat.
“Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave, dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, në disa përgjigje me shkrim për REL-in.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, në një takim këtë javë me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, se vazhdimi i masave ndëshkuese mbetet “i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.
Terras, po ashtu, tha se masat duhet hequr menjëherë. M.P.
