Steven Spielberg mbetet, edhe në projektin e tij më të ri, besnik i një gjuhe filmike që rrallë e braktis: atë të përrallës së modernizuar, ku fantastikja shërben më shumë për të reflektuar mbi njeriun sesa për të tronditur realitetin.
Filmi i ri, “Disclosure Day”, është për shumë kritikë një rikthim i fuqishëm i regjisorit në territorin e fantashkencës, duke sjellë ndër mend jehonat e “E.T.” dhe sidomos të “Close Encounters of the Third Kind”. Në të njëjtën kohë, ai lexohet si një përmbledhje e gjithë karrierës së Spielberg-ut, ku motivet e tij të njohura rikthehen të ndërthurura në një strukturë më të ngarkuar se zakonisht.
Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e kritikës e ka vlerësuar si punën më të mirë të dy dekadave të fundit të regjisorit, ndërsa të tjerë kanë vënë në pikëpyetje pikërisht ambicien e tij për të bashkuar kaq shumë zhanre në një narrativë të vetme: konspiracion politik, thriller qeveritar, fantashkencë, dramë romantike dhe paralajmërim për një konflikt global të afërt.
Kritikat nuk prekin aq shumë regjinë, e cila mbetet teknikisht e saktë dhe vizualisht e kontrolluar, sa strukturën e skenarit. Sipas disa vlerësimeve, filmi vuan nga një kompleksitet i tepruar narrativ, momente tepër shpjeguese dhe një prani e theksuar e një mesazhi moral që ndonjëherë e bën historinë më të drejtpërdrejtë se sa nevojitet.
Në qendër të veprës qëndron një ide e vetme, e artikuluar edhe nga vetë Spielberg: empatia. “Të kemi shpresë tek njëri-tjetri dhe tek njerëzimi, të kuptojmë çfarë na bashkon, çfarë na ka ndarë dhe çfarë na mungon sot më shumë se kurrë”, ka deklaruar regjisori, duke e vendosur këtë koncept si boshtin etik të filmit.
“Disclosure Day”, me një buxhet prej 115 milionë dollarësh dhe skenar të David Koepp, i bazuar në një histori origjinale të Spielberg-ut, ndërton narrativën rreth një të riu, Daniel O’Connor, një ekspert i sigurisë kibernetike që punon për një agjenci sekrete shtetërore. Detyra e tij është të menaxhojë një arkiv të klasifikuar që dokumenton “vizitat” e mundshme aliene në Tokë.
Por zhvillimi i ngjarjeve e vendos protagonistin përballë një dileme morale. I shtyrë nga një ndërgjegje idealiste dhe me ndihmën e një gazetareje dhe meteorologeje, Margaret Blunt, ai arrin në përfundimin se këto të dhëna nuk mund të mbeten të fshehura dhe i përkasin gjithë njerëzimit.
Ky vendim e kthen menjëherë në objekt ndjekjeje. Në sfondin e një bote të tensionuar dhe të një krize globale që i afrohet një konflikti të madh ndërkombëtar, nis një gjueti ndaj tij e udhëhequr nga eprori i tij (Colin Firth), duke e shndërruar rrëfimin në një thriller të ngjeshur me referenca klasike, ku hija e Hitchcock-ut ndihet në shumë prej skenave.
Një nga elementet më të diskutueshme të filmit mbetet vetë përfaqësimi i alienëve. Pavarësisht titullit, ata shfaqen shumë pak dhe vetëm në pjesën finale. Në vend të tyre, Spielberg zgjedh të ndërtojë një univers të ndërmjetëm mes reales dhe simbolikes, ku pamjet arkivore – reale apo të rikrijuara – ndërthuren me imazhe të reja filmike.
Në një zgjedhje tipike për regjisorin, alienët shfaqen jo si figura të frikshme, por si prani të zbutura në formë kafshësh – drerë, zogj dhe dhelpra – një kod vizual që i afron më shumë me botën e përrallave sesa me horrorin e fantashkencës klasike. Këtu, sipas kritikëve, zbulohet më qartë estetika e Spielberg-ut: një prirje e pandryshuar për të transformuar të panjohurën në një gjuhë emocionale të aksesueshme.
Në këtë kuptim, “Disclosure Day” nuk synon të jetë thjesht një film për alienët apo për konspiracione globale, por një tjetër variant i përsëritur i një ideje qendrore në filmografinë e Spielberg-ut: se e panjohura nuk duhet të na frikësojë, por të na afrojë me njëri-tjetrin.
Dhe pikërisht këtu, sipas shumë interpretuesve, qëndron edhe kufiri i tij estetik – një regji që nuk del kurrë plotësisht përtej përrallës, por që vazhdon të besojë se përmes saj mund të artikulohet një e vërtetë mbi njerëzimin.
Përgatiti për botim: L.Veizi
