Last Updated on 30/10/2026 by EL
Në Gjermani kanë hyrë në fuqi rekomandime të reja për vaksinimin kundër koronavirusit. Ndërkohë, edhe vitin e kaluar, numri i personave që u vaksinuan kundër gripit ishte dukshëm më i ulët.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Andy Burnham, 56 vjeç, zgjodhi të vaksinohej kundër gripit para kamerave. Ndërsa në Nju Jork, kryebashkiaku 35-vjeçar Zohran Mamdani u shfaq që në fillim të tetorit duke buzëqeshur dhe duke mbajtur një distinktiv me mbishkrimin “Unë u vaksinova kundër gripit”.
Megjithatë, kjo fushatë ndërgjegjësimi për vaksinimin kundër gripit nuk po ndihet në Gjermani, ku gjithnjë e më pak gjermanë po vaksinohen.
Sipas revistës mjekësore gjermane Ärzteblatt, përqindja e personave të moshës 60 vjeç e lart që u vaksinuan kundër gripit në vitin 2025 ishte 34%. Sipas Institutit Robert Koch (RKI), kjo është shifra më e ulët e regjistruar në 17 vitet e fundit.
Sipas rekomandimeve të RKI-së, vaksinimi kundër gripit këshillohet për personat e moshës 60 vjeç e lart, personat që vuajnë nga sëmundje kronike, banorët e institucioneve të kujdesit, personelin mjekësor, gratë shtatzëna, si dhe personat që kanë kontakt me kafshë të caktuara, si derrat ose shpendët.
Veçanërisht të moshuarit duhet të vaksinohen kundër gripit përpara dimrit. Përveç vaksinës së gripit, për personat e moshuar në Gjermani rekomandohet edhe vaksinimi kundër pneumokokut dhe herpes zosterit, i njohur ndryshe si zona. Vaksinimi kundër virusit respirator sincicial (RSV) duhet gjithashtu të diskutohet me mjekun.
A nevojitet një tjetër dozë vaksine kundër koronavirusit?
Vaksinimi kundër koronavirusit rekomandohet për personat mbi 75 vjeç ose ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara, si pacientët me sistem imunitar të dobësuar dhe personeli mjekësor. Edhe gratë shtatzëna që kanë rreziqe shëndetësore duhet të vaksinohen.
Megjithatë, për shkak të kufizimit të rekomandimeve, jo të gjithë personat me sigurim shëndetësor ligjor përfitojnë më mbulimin e plotë të kostos së vaksinimit kundër koronavirusit.
Sipas RKI-së, që në vitin 2025, vetëm 16% e personave mbi 60 vjeç në Gjermani vazhdonin të vaksinoheshin kundër COVID-19.
Vaksinimi kundër fruthit është i detyrueshëm për fëmijët në Gjermani
Për foshnjat dhe fëmijët e vegjël ekziston një kalendar i veçantë vaksinimi, i cili parashikon, ndër të tjera, imunizimin kundër virusit respirator sincicial (RSV), tetanozit, difterisë, kollës së mirë, poliomielitit, hepatitit B, meningjitit, fruthit, rubeolës dhe shytave.
Në Shtetet e Bashkuara, kohët e fundit janë regjistruar valë rastesh të rënda të fruthit për shkak të mungesës së mbrojtjes nga vaksinimi.
Në Gjermani, Ligji për Mbrojtjen nga Fruthi kërkon dëshmi të vaksinimit ose të imunitetit për fëmijët përpara se të fillojnë çerdhen apo shkollën, si dhe për personat e lindur pas vitit 1970 që punojnë në institucione të kujdesit për fëmijët ose në struktura shëndetësore.
Vaksinimet janë të dobishme për shëndetin
Disa studime tregojnë se vaksinimet mund të kenë efekte pozitive edhe përtej mbrojtjes që ofrojnë kundër një sëmundjeje të caktuar. Studiuesit po shqyrtojnë se deri në çfarë mase vaksina kundër gripit mund të mbrojë nga ndërlikimet kardiovaskulare dhe cilat vaksina mund të ndihmojnë në parandalimin e demencës.
Revista gjermane Deutsches Ärzteblatt raporton prova për ekzistencën e të ashtuquajturave efekte heterologjike ose jospecifike, përmes të cilave një vaksinë ndikon në sistemin imunitar në mënyrë të tillë që ndryshon edhe përgjigjen imunitare ndaj patogjenëve ose sëmundjeve të tjera./et
