Last Updated on 24/06/2026 by Monika
Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si Cllevio, ka dhënë sërish dëshmi në Gjykatën e Posaçme, ku ka folur jo vetëm për njohjen e tij me Laert Haxhiun, por edhe për konfliktin e bujshëm me reperin Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Gjatë dëshmisë së tij, Cllevio theksoi se nuk ka lidhje me personat e përfshirë në procesin gjyqësor, ndërsa sqaroi se me Laert Haxhiun ka pasur njohje që nga fëmijëria, pasi janë rritur në të njëjtën zonë në Lushnjë. Sipas tij, kontaktet mes tyre janë ndërprerë prej vitesh.
Ai u ndal edhe te rivaliteti i hershëm me Noizy-n, duke treguar se përplasjet nisën përmes muzikës dhe rrjeteve sociale. Cllevio deklaroi se në fillim kishte përdorur këngët “diss” si një mënyrë për të fituar vëmendje dhe për t’u bërë i njohur në tregun muzikor.
Megjithatë, sipas tij, pas një periudhe konfliktesh vendosi të mbyllte kapitullin e mosmarrëveshjeve dhe të kërkonte pajtim. Ai pretendon se kishte shkuar në një lokal në Durrës për t’i kërkuar falje Noizy-t, por situata mori një drejtim krejt tjetër.
Sipas rrëfimit të Cllevios, sapo mbërriti në vendngjarje, u përball me Noizy-n dhe disa persona të tjerë që e shoqëronin. Ai pretendon se u godit fizikisht, duke pësuar lëndime në kokë dhe trup, për të cilat më pas mori trajtim mjekësor.
Reperi deklaroi gjithashtu se ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe se nuk ka pasur asnjëherë synim të hakmerrej për atë që ndodhi.
Në fund të dëshmisë, Cllevio u pyet edhe për shpërthimin me eksploziv në lokalin e Noizy-t. Ai tha se në kohën kur ndodhi ngjarja ndodhej në burg dhe se nuk kishte dijeni për autorët, duke mohuar çdo informacion që mund ta lidhte Laert Haxhiun me atë episod./mxh
