Last Updated on 13/08/2026 by EL
Nga cigaret te karburantet, bashkë me birrën e kafen…. shqiptarët e të huajt e ardhur për turizëm po shtojnë importet e “produkteve të dëmshme” për shëndetin e mjedisin. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit u importuan gati 1 mijë e 700 ton cigare gati 200 tonë më shumë se periudha e shkuar.
“Janë shtuar shumë të rinjtë që blejnë duhan. Ka edhe turistë. Ka edhe nga ata që blejnë cigare të hapura”, tregon shitësi në një kioskë.
Me gjithë shtrenjtimin, në vend po importohet karburant si kurrë më parë. Importet e lëndës djegëse deri në fund të qershorit kapën nivelin e mbi 332 mijë tonëve.
Me ritme të ngjashme me cigaret janë rritur edhe importet e kafesë. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në harkun e muajve janar-qershor u ble nga jashtë një sasi prej 5 mijë e 392 tonë kafe, rreth 700 tonë më tepër se një vit më parë.
Për shkak të akcizës mbi prodhimin vendas, në vend këtë vit është futur më tepër birrë. Importet e pijes alkoolike në gjysmën e parë të vitit e parë të vitit arritën në mbi 25 mijë tonë.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se si pasojë e akcizës mbi këto produkte, në gjashtë muajt e parë të vitit buxheti i shtetit arkëtoi 33.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lek më shumë se një vit më parë./et
