Nëse jeni duke kërkuar një destinacion të bukur për pushime në plazh, tabloidi britanik “Express” sugjeron për lexuesit e tij rivierën e bukur shqiptare, që nuk duhet anashkaluar.
Në artikull thuhet se Shqipëria ka fituar popullaritet vitet e fundit për bregdetin piktoresk, duke u bërë një nga destinacionet më tërheqëse në Evropë.
“Riviera shqiptare, nga Vlora në Palasë e deri në Sarandë e Ksamil, ka ujëra të kristaltë, vende historike tërheqëse dhe çmime të përballueshme. Sipas artikullit, Shqipëria është një destinacion i zbuluar vonë, dekadën e fundit nga të huajt, të cilët zakonisht zgjedhin kampet dhe eksplorojnë plazhet të panjohura më parë pranë Mesdheut”.
Ndër të tjera, rekomandohet edhe periudha më e mirë për të vizituar bregdetin e jugut të Shqipërisë, që sipas “Express” është nga prilli deri në fillim të qershorit ose nga shtatori deri në fillim të tetorit, kur plazhet nuk janë të mbipopulluara.
“Periudha më e ngarkuar është korrik–gusht, ndaj nëse doni plazhe më të qeta, është më mirë t’i shmangni këto muaj. Mënyra më e mirë për të lëvizur aty është me makinë, edhe pse zona është e aksesueshme edhe me transport publik”, shkruhet në artikull.
Autorja e shkrimit thotë se katër ditë do të ishin koha ideale për të shijuar gjithçka që ofron Riviera.
“Për pushime të paharrueshme me plazhe mahnitëse, Shqipëria nuk duhet humbur”, përfundon artikulli i tabloidit britanik.
