“Britanikët fluturuan për në Shqipëri për një udhëtim 13-orësh dhe ishte më lirë sesa një ditë e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar”. Kështu nis titulli i britanikes Daily Mail për udhëtimin turistik të dy mikeshave që zgjodhën vendin tonë.
Dy shoqet, Stacey Baugh dhe Claire Dukes, që fluturuan në Shqipëri për një udhëtim vajtje-ardhje 13-orësh, thanë se një ditë pushimi ishte më e vlefshme në Shqipëri sesa të shkonin në teatër në Londër, pasi dhe biletat e tyre në tetor për fluturimet vajtje-ardhje kushtuan rreth 70 paund.
“Nëse shkoni në një teatër në Londër, do të kushtonte 70 paund për benzinë, parkim dhe udhëtim, ndërsa bileta e teatrit do të kushtonte 60 deri në 70 paund. Kur krahasoni çmimet me Shqipërinë, ku kisha 28 orë jashtë shtëpisë dhe u ngjita në tre male atje, vlera e asaj që merrni është e mahnitshme.”
Stacey dhe Claire sapo mbërritën në Tiranë shpenzuan 60 paund për person në një tur privat për atë ditë, në Liqenin e Bovillës, Malin e Dajtit dhe në një tur të kryeqytetit në mbrëmje.
Gjithashtu, dy turistet britanike shprehen se shkuan edhe në një zip line në mal për 30 euro dhe konsumuan një vakt në Malin e Dajtit për më pak se 40 euro. Ato thanë se udhëtimi u kushtoi 200 paund secilës, sa një udhëtim në teatër në Londër.
Në artikullin e Daily Mail shkruhet se dy turistet britanike shpenzuan më pak se 40 euro për gatime tradicionale dhe ëmbëlsira, si dhe për një sallatë dhe tavë dheu.
E përditshmja britanike Daily Mail shumë shpesh shkruan artikuj krahasues për koston e pushimeve në Britani apo vendet e ndryshme evropiane, me pushimet në Shqipëri, ku këto të fundit u kushtojnë shumë herë më lirë britanikëve, që po e preferojnë vit pas viti vendin tonë për turizëm./kb
