Last Updated on 17/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Një klinikë sterile, një sekret i errët.
Në Toronto-n e ftohtë dhe të përmbajtur, pas mureve sterile të një klinike moderne fertiliteti, dy vëllezër identikë ndajnë jo vetëm të njëjtën fytyrë, por edhe një sekret të errët. Eliot dhe Beverli Mantël janë gjinekologë të suksesshëm, të respektuar nga pacientët dhe të admiruar nga kolegët. Por në prapaskenë, kufiri midis identitetit dhe mashtrimit, midis dashurisë dhe manipulimit, është i turbullt. Ata shkëmbejnë rolet e tyre në mënyrë të padukshme, duke joshur gratë e duke luajtur me jetët e tyre sikur të ishin eksperimente klinike. Ajo që nis si një lojë e heshtur mes dy mendjeve gjeniale, përfundon si një tragjedi ku realiteti, morali dhe arsyeja shpërbëhen…
…Kemi të bëjmë me një histori magjepsëse mbi jetët e çuditshme dhe vdekjet tronditëse të mjekëve binjakë të lidhur nga një dashuri më shumë se vëllazërore, të mallkuar së bashku në një ferr të përbashkët obsesionesh të papërshkrueshme. Është një histori autentike e epokës moderne me një fuqi të çuditshme dhe plot tension.
Frymëzimi nga realiteti
Kjo është zemra e “Dead Ringers”, filmi i vitit 1988 i mjeshtrit të trillerit psikologjik David Kronenberg, i renditur mes dhjetë filmave më të mirë kanadezë të të gjitha kohërave. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një thriller, por me një zhytje të ngadaltë dhe të pamëshirshme në territore të errëta të ndërgjegjes njerëzore.
Historia mbështetet në romanin “Binjakët” të shkrimtarëve Bari Ud dhe Xhek Gizland, të frymëzuar nga ngjarja reale e vëllezërve Stjuart dhe Sirill Markus — dy gjinekologë binjakë të cilët u gjetën të vdekur së bashku në rrethana misterioze. Kronenberg e merr këtë bazë faktike dhe e kthen në një rrëfim hipnotik, ku identiteti është i lëngshëm dhe marrëdhëniet njerëzore ndodhen në një terren të minuar nga manipulimi dhe varësia.
Dy role, një aktor
Forca e filmit qëndron në performancën e jashtëzakonshme të Xheremi Ajrons, i cili mishëron dy personalitete krejt të ndryshme:
-Eliot – karizmatik, i sigurt dhe manipulues.
-Beverli – i ndjeshëm, i brishtë dhe emocionalisht i trazuar.
Ajrons arrin t’i bëjë shikuesit të harrojnë se të dy janë interpretim i një njeriu të vetëm, duke i dhënë secilit një jetë dhe një psike të plotë. Ky është një nga interpretimet më të arrira të karrierës së tij.
Magjia teknike e Kronenbergut
Teknikisht, regjisori dhe ekipi i tij përdorën metoda novatore për kohën. Veçanërisht teknika e quajtur “ndarjet lëvizëse” (moving splits) i lejoi të dy binjakët të ndërvepronin në të njëjtën skenë me realizëm të habitshëm, pa efektet e rënda e të dukshme të ndarjes klasike të ekranit. Rezultati ishte një iluzion i përkryer vizual, që e bën edhe sot filmin të duket i freskët.
Një film që mbetet në kujtesë
Me 10 çmime “Xhini” në Kanada, përfshirë ato për “Filmin më të Mirë” dhe “Aktorin më të Mirë”, “Dead Ringers” mbetet një vepër ku estetika klinike përzihet me paranojën, ku sensualiteti shndërrohet në kërcënim, dhe ku dashuria bëhet rruga më e shkurtër drejt shkatërrimit.
Ky film nuk është thjesht një histori për dy binjakë të çuditshëm, por një reflektim i errët mbi natyrën njerëzore, një përvojë që të ndjek gjatë edhe pasi dritat e sallës janë shuar.
