Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar Parisin me të bardhë të mërkurën, në ditën e tretë të një vale të rrallë të ftohti që ka përfshirë Francën dhe pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore.
Dëbora ka shkaktuar vonesa të shumta në transportin hekurudhor dhe trafik të rënduar në kryeqytetin francez. Qytetarët parizianë thanë se një situatë e tillë nuk është parë prej vitesh. “Kjo nuk ka ndodhur që nga viti 2008 ose 2009. Është vërtet shumë e rrallë,” u shpreh një banor i Parisit, Bruno Camy.
Ndërkohë, Evropa Perëndimore po përgatitet për më shumë reshje dëbore dhe akull, ndërsa stuhia e parë e emërtuar e këtij viti ka goditur bregdetin atlantik të kontinentit.
Agjencia franceze e meteorologjisë, Meteo France, ka paralajmëruar se reshjet e borës do të shtrihen në gjysmën veriore të vendit, duke shpallur alarm portokalli – niveli i dytë më i lartë i rrezikut – për 32 departamente.
Operatori hekurudhor SNCF ka njoftuar për ndërprerje dhe vonesa të orareve në të gjithë vendin, ndërsa faqja e monitorimit të trafikut Sytadin raportoi rreth 541 kilometra radhë automjetesh në rrugët e rajonit Ile-de-France, që përfshin Parisin.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në qarkullim dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa kushtet e motit pritet të mbeten të vështira edhe në orët në vijim./mxh
