Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për tragjedinë në Durrës, ku u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë nga një shofer i dehur.
Abilekaj ngriti shqetësimin e policisë, që edhe pse banorët kishin raportuar sjelljen problematike të autorit, nuk ka patur reagime. Analisti tha se degradimi i shtetit, tashmë po degradon edhe shoqërinë, që ndihet e pafuqishme.
“Të flasim për veset e shqiptarëve është e lehtë, por rasti ngre pyetje. Kemi tre fëmijë që luajnë në trotuar, sepse nuk kanë ku të luajnë. Një rrugë të gjerë, por pa trotuare të mjaftueshme. Banorët që ankohet për një person që kalon me shpejtësi të lartë por nuk dëgjohen, një aksident tragjik që pasi ndodh, personi nuk shkon në polici por te një mik i tij, pushtetar i zonës. Për të gjetur fajtorët e vërtetë, nga vjen, ne duhet të bëjmë pyetjet, pse fëmijët luajnë në trotuar? Kush është fajtor?
Me çfarë guximi, ky njeri shkon të pijë dhe dehet, merr makinën dhe kthehet prapë me shpejtësi, pavarësisht se banorët ankohen në polici? Pse policia nuk ndërhyn? Pse e sheh si mundësi për të bërë para?
Edhe shoqëria dorëzohet, kur sheh që ka vetëm hallka korrupsioni.
Degradim i plotë i shtetit, dhe pastaj degradon edhe shoqëria. I forti, me të pambrojturin është në diferencë ta madhe”, deklaroi Abilekaj./mxh
