Ish-prokurori Eugen Beçi është shprehur mbrëmjen e sotme se duhen ashpërsuar masat për shkelësit e qarkullimit rrugor.
Në një dalje televizive, Beçi u shpreh se kjo duhet bërë për sa kohë qytetari nuk edukohet për lëvizjen me makinë. Ish-prokurori tha se këto masa mund të merren me shtim të pranisë së policisë, semaforëve apo ulje të kufizimit të shpejtësisë.
“Kur shohim që nuk edukojmë dot qytetarin që të hypi në mjet, edhe të eci brenda rregullave të qarkullimit rrugor, atëherë duhet të marrësh masa më represive. Mund të marrësh masa represive që kanë të bëjnë me prani policësh, semaforë, ulje të kufizimit të shpejtësisë. Në tërë botën ulja e shpejtësisë në zona të banuara, ku ka fëmijë është deri në 30 km në orë, dhe në rast se ti e shkel këtë tabelë ti gjobitesh dhe përfundon në burg. Në 2013 Ministria e Drejtësisë e ashpërsoi masën e dënimit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Fatkeqësisht në 2014 u shtua një paragraf, ku u tha që ai që drejton mjetin në gjendje të dehur, mund të dënohet me burg, por mund edhe të paguajë ndonjë lekë në favor të shtetit dhe të dalë nga burgu”, tha Beçi./mxh
