Last Updated on 19/09/2026 by Anisa
“Pse jemi ndarë kaq shumë nga Kosova?” Kjo ishte një nga pyetjet e gazetares Rudina Xhunga drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë intervistës së saj me “300 pyetje”.
Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, gazetarja Rudina Xhunga tha se, nga këndvështrimi i saj, dy vendet janë më larg se më parë, duke vënë theksin te komunikimi dhe bashkëpunimi mes tyre.
“Unë si gazetare e ndiej më larg se kurrë Kosovën. Kemi qenë më të afërt dhe më të bashkuar”, u shpreh Rudina Xhunga.
Rama kundërshtoi idenë se Shqipëria është ndarë nga Kosova dhe theksoi se qëndrimi i Tiranës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Ne nuk jemi ndarë nga Kosova. Ne për Kosovën kemi pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim dhe nuk diskutohet që kemi të njëjtin qëndrim,” tha kryeministri.
Rama përmendi gjithashtu marrëveshjet dhe programet e përbashkëta të realizuara mes dy vendeve, duke argumentuar se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ka vijuar në disa drejtime.
Megjithatë, ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë qasje të ndryshme për mënyrën se si duhet të arrihen objektivat e përbashkëta.
“Kosova nuk mund të na imponojë ne qëndrimin tonë, ashtu si kundër ne nuk kemi asnjë arsye t’i imponojmë qëndrimin tonë Kosovës,” deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes Shqipëria qëndron në krah të Kosovës, ndërsa për mënyrën e ndjekjes së proceseve politike mund të ketë dallime.
“Kur vjen puna te siguria, te mbrojtja, te të gjitha, ne jemi me Kosovën deri në vdekje. Por kur vjen puna tek qasja në proces, ne e kemi ndryshe qasjen,” tha ai.
Në përfundim, Rama e përmblodhi qëndrimin e tij duke thënë se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë objektiva të ndryshëm, por ndryshojnë në mënyrën se si e shohin rrugën për arritjen e tyre.
“Ne nuk kemi qëllime të ndryshme. Unë e shikoj objektivin njësoj, por arritjen tek ai objektiv unë e shoh ndryshe,” u shpreh kryeministri./ad
