Analisti Denis Dyrnjaja, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për mandatin e Altin Dumanit në krye të SPAK.
“Nga hetimet për korrupsion, kemi çështje që kanë ngelur si grep. Pse u nda çështja e inceneratorëve? Është pyetje retorike me përgjigjen brenda. Një çështje që duhej hetuar në grup nuk u bë. Çfarë ndodhi? U bë në periudhën e Dumanit. Nuk them se është ai përgjegjës, por nuk mund të ketë meritë. Ka shumë prokurorë aty që nuk dinë se çfarë bëjnë. Nuk ka transparencë. Nuk kemi sot transparencë totale të institucionit.
Pjesën e luftës kundër grupeve kriminale, e kanë bërë partnerët. Nuk kemi hetim të nisur të zhvilluar dhe konkluduar pa partnerët, që të jetë bërë nga ky institucion. Partnerët sjellin raportet dhe na vënë para përgjegjësisë.
Këta janë prokurorë karriere. Në një kuptim, ka patur më shumë zhurmë, sesa raport të asaj që ka ndodhur në terren. Grupet kriminale janë në terren”, tha Dyrnjaja.
Analisti deklaroi se mes SPAK dhe BKH ka patur marrëdhënie të ngrirë, por me ardhjen e Joni Ketës, kjo pritet të ndryshojë.
“SPAK nuk ka hetuar veten e vet. Mendon ti se ne kemi një BKH dhe SPAK që janë ishujt e integritetit dhe pastërtisë?
Dumani tha jam i gatshëm të hetoj kolegët, por nuk e bëri kurrë. Si qëlloi që pas vettingut, tani janë me integritet të gjithë këta? Nuk ka asnjë të korruptuar? Është çdo gjë perfekte? Dumani ka një problem në raport me pritshmëritë. Perfeksionin nuk e kërkon dot kudo.
Ka patur problem mes marrëdhënies së BKH dhe SPAK. Midis Hajnajt dhe SPAK ka patur marrëdhënie të ngrirë. Me ardhjen e Joni Ketës, mendohet se akujt do të shkrihen”, tha Dyrnjaja. M.P.
