Last Updated on 20/07/2026 by Monika
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, reagoi pas tensioneve që shoqëruan seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar opozitën se kishte përgatitur një skenar për bllokimin e punimeve parlamentare.
Sipas saj, ndërprerja e seancës nuk ishte një reagim spontan, por një vendim i marrë që në fillim të saj. Çaushi u shpreh se raportimi i Avokatit të Popullit u përdor vetëm si pretekst për të nxitur përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.
Deputetja socialiste theksoi se Kuvendi duhet të jetë institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat politike, dhe jo një hapësirë ku bllokimi zë vendin e debatit parlamentar.
Në reagimin e saj, Zegjine Çaushi nënvizoi se qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete nga përfaqësuesit e tyre, duke shtuar se tentativat për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve.
Postimi i plotë:
“Sot nuk pamë një opozitë që kërkonte të shprehte qëndrimet e saj përmes debatit parlamentar. Pamë një skenar të përgatitur për të bllokuar punimet e Kuvendit.
Prishja e seancës plenare nuk ishte spontane, por një vendim i marrë që në nisje të saj. Raportimi i Avokatit të Popullit ishte thjesht një pretekst për të krijuar përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.
Kuvendi është institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat, jo një vend ku bllokimi zë vendin e debatit. Qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete, jo tentativa për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik që pengon punën e institucioneve.”/mxh
