Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra janë treshja e prokurorëve që propozuan emrin e Joni Ketës që të marrë drejtimin e FBI-së shqiptare. Joni Keta prej katër muajsh është drejtues i komanduar në krye të BKH-së pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt.
Gara 4 mujore është mbyllur ndërsa më datë 11 Dhjetor Joni Keta do të votohet dhe do të shihet nëse do të marrë votat e nevojshme. Treshja e prokurorëve mesa duket janë dakord plotësisht që Joni Keta të jetë krahu i tyre i djathtë dhe e propozuan menjëherë në KLP.
Kush është Joni Keta
Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta garon për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar. m.p.
