Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka nominuar sërish liderin e saj Albin Kurtin për kryeministër.
Vendimi u mor në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Glauk Konjufca, i cili e shpalli kandidaturën e Kurtit për kryeministër, e cilësoi atë si kryeministrin më të suksesshëm dhe të më votuarin nga populli në historinë e demokracisë parlamentare.
“Jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e Vetëvendosjes, unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të republikës, Albin Kurti”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka akuzuar po ashtu partitë opozitare se duan ta bllokojnë shtetin vetëm për të dobësuar Albin Kurtin.
“Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në një koalicion demokratik. U refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënin qeverinë. Ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin se çka duan ata me të vërtetë. Ata duan të bllokojnë gjithçka që më pas bllokimi i shtetit të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë tejet e dëmshme dhe antishtetërore. Për këtë qëllim ata kanë treguar se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë. Ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Përmes kësaj maskarade po mendojnë se e rrisin mbështetjen në popull”, është shprehur ai.
Ky subjekt politik ka nisur përgatitjet e jashtëzakonshme për zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar kreun e partisë, Lumir Abdixhikun, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.3% të votave. Por, kjo parti dështoi dy herë të formonte një qeveri, duke bërë që të hapej rruga për zgjedhje.
LDK-ja kishte refuzuar ofertën e Kurtit për bashkëpunim në qeverisje.
Tentativa e fundit për të formuar qeverinë u bë më 19 nëntor, pasi i mandatuari për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk mori dot mbështetjen e nevojshme për të formuar qeverinë.
