Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Mystras të Greqisë, ku një 55-vjeçar dyshohet se ka mbajtur trupin e pajetë të babait të tij 90-vjeçar në një frigorifer për rreth dy vjet e gjysmë, me qëllim që të vazhdonte të përfitonte pensionin e tij dhe atë të nënës së ndjerë.
Sipas hetimeve paraprake, nëna e 55-vjeçarit kishte ndërruar jetë më herët, ndërsa pensioni i saj përfitohej nga bashkëshorti, babai 90-vjeçar i të arrestuarit.
Rasti doli në dritë pasi autoritetet në Laconia morën informacion se 90-vjeçari, i lindur në vitin 1936, nuk ishte parë prej një kohe të gjatë.
Gjatë hetimeve, policia kontaktoi djalin e tij 55-vjeçar, i cili deklaroi se babai ishte larguar nga zona dhe jetonte në Athinë.
Megjithatë, pas verifikimeve, hetuesit kontaktuan motrën e 55-vjeçarit, e cila jeton në Athinë. Ajo u tha autoriteteve se nuk e kishte parë babanë prej vitesh dhe se ai jetonte me vëllain e saj.
Dyshimet çuan në një kontroll policor, në prani të prokurorit, në një hotel në pronësi të 55-vjeçarit, i cili ishte i mbyllur dhe përdorej prej tij si banesë.
Gjatë kontrollit në bodrumin e godinës, policia zbuloi trupin e 90-vjeçarit brenda një frigoriferi. Në ambientet e hotelit u gjet dhe u sekuestrua gjithashtu një armë me ajër.
55-vjeçari u arrestua dhe, gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se pranoi ngjarjen. Ai deklaroi se babai kishte ndërruar jetë rreth dy vjet e gjysmë më parë nga shkaqe natyrore dhe se kishte fshehur trupin në frigorifer për të vazhduar të merrte pensionin e tij.
Sipas deklarimeve të tij, ai përfitonte edhe pensionin e nënës së ndjerë, i cili i kalonte babait si përfitues.
Në vendngjarje mbërritën një mjek ligjor dhe specialistë të Zyrës së Hetimit Penal të Spartës. Për trupin është urdhëruar kryerja e autopsisë, e cila pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.
Ndaj 55-vjeçarit janë ngritur akuza për dëshmi të rreme, mashtrim të përsëritur dhe shkelje të legjislacionit për armët. Ai pritet të dalë para prokurorit, ndërsa hetimet nga autoritetet kompetente vijojnë./mxh
