Nga Roland Lami
Në teoritë moderne të shtetit, Presidenti nuk është thjesht një individ që ushtron një detyrë publike. Ai është personifikimi i institucionit, mishërimi simbolik i unitetit politik dhe garant i ekuilibrave kushtetues. Pikërisht për këtë arsye, jo pak autorë të së drejtës kanë insistuar vazhdimisht që bartësi i një funksioni të tillë duhet të dallojë bindjen personale nga përgjegjësia institucionale. Kur ky dallim zbehet, fillon konfuzioni midis njeriut dhe postit, midis qytetarit dhe shtetit.
Pelegrinazhi në Mekë nuk është problem për qytetarin e zakonshëm. Ai është ushtrim i një lirie themelore. Problemi lind kur kreu i shtetit duket se harron se Kushtetuta nuk i ka dhënë mandatin për të përfaqësuar një komunitet besimtarësh, por një bashkësi qytetarësh. Në këtë pikë, pyetja nuk është nëse Presidenti si individ ka të drejtë të shkojë në Mekë. Sigurisht që ka. Pyetja është nëse Presidenti e kupton se Presidenca nuk është një zgjatim institucional i biografisë së tij shpirtërore. Pra në këtë rast nuk po flasim për qytetarin Bajram por për institucioni e Presidencës që Z.Begaj drejton.
Shteti laik nuk u krijua sepse shoqëritë humbën fenë. Përkundrazi, ai u krijua sepse njerëzit kishin shumë fe. Laiciteti është teknika politike që i lejon ato të bashkëjetojnë pa e pushtuar shtetin dhe pa u pushtuar prej tij. Në një vend si Shqipëria, ku harmonia ndërfetare është një nga kapitalet më të vyera kombëtare, Presidenti pritet të përfaqësojë pikërisht këtë ekuilibër. Ai nuk është president i myslimanëve, i katolikëve, i ortodoksëve apo i bektashinjve. Ai është president i një rendi kushtetues që ekziston mbi të gjitha këto identitete.
Prandaj, kur Presidenca organizon iftare, kur fjalimet institucionale mbushen me referenca te tekstet e shenjta kuranore, krijohet përshtypja se institucioni po largohet gradualisht nga neutraliteti kushtetues. Sikur Presidenti ta ketë ngatërruar Kushtetutën me një tekst fetar dhe misionin e tij si garant i pluralizmit me rolin e një predikuesi të harmonisë. Mirëpo, harmonia ndërfetare nuk garantohet duke u afruar më shumë me një fe. Ajo garantohet duke qëndruar njësoj larg dhe njësoj afër të gjithave. Siç kanë bërë paraardhësit e tij më përpara.
Paradoksi është se Presidenti mund të vendos të jetë një besimtar i devotshëm duke qenë njëkohësisht një president problematik nga pikëpamja e laicitetit. Mirëpo, kushtetutshmëria e këtij institucioni nuk matet me thellësinë e besimit, por me aftësinë për ta mbajtur atë brenda kufijve të rolit privat. Në fund të fundit, republika nuk ka nevojë për një president që të na tregojë rrugën drejt shpëtimit shpirtëror. Ajo ka nevojë për një president që të mos harrojë se është zgjedhur për të mbrojtur frymën e Kushtetutës dhe jo për të dëshmuar publikisht forcën e bindjeve të veta fetare.
Ajo që mbetet për t’u diskutuar nuk është sjellja e një individi, por trashëgimia që një institucion lë pas vetes. Institucionet demokratike ndërtohen mbi precedentin po aq sa mbi normën. Çdo gjest i kreut të shtetit prodhon një standard të ri interpretimi për ata që do ta pasojnë. Nëse deri dje neutraliteti ndaj feve perceptohej si virtyt i Presidencës, sot rrezikon të shihet si një zgjedhje fakultative. Kështu, pa ndryshuar asnjë nen të Kushtetutës, mund të ndryshohet gradualisht kuptimi i saj në praktikë. Historia e demokracive tregon se erozioni i parimeve kushtetuese rrallë fillon me përmbysje spektakolare, ai nis me zhvendosje të vogla simbolike që, me kalimin e kohës, kthehen në normalitet institucional. Pikërisht këtu qëndron pesha e veprimeve të Presidentit, jo te ndikimi i tyre i menjëhershëm, por te mesazhi që u lënë brezave të ardhshëm mbi kufijtë e pranueshëm midis autoritetit kushtetues dhe bindjes personale./a.d
