Tridhjetë e nëntë vatra të reja zjarresh janë përhapur në zona të ndryshme të Greqisë brenda pak orësh, njoftoi sot shërbimi zjarrfikës.
Zjarri më i rëndë po përhapet në ishullin Salaminë, në brigjet e Athinës, sipas zjarrfikësve.
Në ishull ndodhet baza më e madhe e Marinës Ushtarake Greke.
Sipas zjarrfikësve në terren, baza nuk ishte në rrezik.
Zjarri përfshiu një grykë dhe për shuarjen e tij u angazhuan një numër i madh avionësh dhe helikopterësh zjarrfikës.
”Gjithashtu, në operacion janë përfshirë forca të shumta zjarrfikëse dhe vullnetarë”, raportoi transmetuesi ERT.
Për shkak të thatësirës së vazhdueshme, rreziku për zjarre mbetet i lartë në pjesën më të madhe të Greqisë, sipas agjencisë së mbrojtjes civile.
Temperaturat në qendër të Athinës arritën në 40 gradë Celsius të martën, ndërsa vala aktuale e të nxehtit parashikohet të vijojë deri në fillim të javës së ardhshme./mxh