Policia e Tiranës ka arrestuar 12 persona dhe ka proceduar penalisht 19 të tjerë, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë protestës, disa pjesëmarrës kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov. Gjithashtu, është bllokuar qarkullimi rrugor dhe është dëmtuar prona publike.
Si pasojë e përplasjeve, janë dëmtuar 17 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 12 shtetas, konkretisht: E. K., 32 vjeç; H. Xh., 18 vjeç; S. A., 53 vjeç; M. D., 47 vjeçe; B. H., 25 vjeç; E. D., 27 vjeç; L. V., 55 vjeç; E. C., 32 vjeç; K. J., 31 vjeç; Y. M., 38 vjeçe; Sh. Ç., 29 vjeç dhe D. Ç., 23 vjeç.
Ndërkohë, 19 persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishjes së qetësisë publike, kundërshtimit të punonjësit të Policisë, shkeljes së rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimit të pronës me zjarr, si dhe mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve shpërthyese dhe municionit./mxh
