Shkencëtarët kanë arritur të fotografojnë sipërfaqen e Diellit me një nivel detajesh të paprecedentë, falë teleskopit diellor më të fuqishëm në botë. Pamjet e reja kanë zbuluar për herë të parë vorbulla të fuqishme në sipërfaqen e yllit tonë, të cilat luajnë një rol kyç në krijimin e të ashtuquajturit mot hapësinor.
Zbulimi u bë i mundur nga Teleskopi Diellor Inouye, i vendosur në majat e Havait, dhe rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Nature.
Sipas studiuesve, vorbullat krijohen nga ndërveprimi i gazrave shumë të nxehtë me fushën magnetike të Diellit. Këto lëvizje grumbullojnë energji magnetike, e cila më pas mund të çlirohet në formën e shpërthimeve diellore ose nxjerrjeve masive të plazmës në hapësirë.
“Dielli është burimi i gjithë kësaj energjie dhe i motit hapësinor,” tha Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i SHBA-së (NSO). Sipas tij, fotografitë me rezolucion shumë të lartë do t’i ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë dhe, në të ardhmen, të parashikojnë këto fenomene.
Edhe astronomi Dr. David Kuridze theksoi rëndësinë e zbulimit. “Këto lëvizje rrotulluese krijojnë energji magnetike, e cila mund të grumbullohet dhe të shkaktojë shpërthime të mëdha,” u shpreh ai./kb
