Shtetet evropiane duan urgjentisht partnerë të rinj të besueshëm, veçanërisht kur marrëdhënia me SHBA-të është bërë e pasigurt. Tani, një marrëveshje e tregtisë së lirë mes BE-së dhe Australisë është në fuqi pas vitesh negociimi.
BE siguron me marrëveshjen qasje në burimet e para të rëndësishme.
“Australia është furnizuesja më e madhe në botë e litiumit dhe zotëron lëndë të para që janë me rëndësi strategjike për teknologjitë e së ardhmes, nga makinat elektrike në Spanjë te turbinat me erë në det të hapur në Detin Baltik”, shkroi presidentja e KE, Ursula von der Leyen në një artikull të botuar në disa gazeta evropiane.
Marrëveshja synon të eliminojë tarifat mbi lëndët e para, si dhe mbi produktet e përpunuara.
Marrëveshja pjesë e strategjisë së pavarësimit
Marrëveshja me Australinë është pjesë e strategjisë së BE-së për pavarësimin nga Kina nga lëndët e para, zgjerimin e marrëdhënieve në rajonin Indo-Paqësor dhe forcimin e bashkëpunimit me demokracitë, me të cilat BE ndan të njëjtat vlera.
Sipas Komisionit Europian, sektorët që mund të përfitojnë veçanërisht nga marrëveshja përfshijnë inxhinierinë mekanike, kimikatet, industrinë e automobilave dhe bujqësinë. Edhe prodhuesit gjermanë të automjeteve gëzohen, se mund të shesin më shumë automjete. “Krijohen shumë shanse”, tha presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilëve, Hildegard Müller.
Marrëveshja tregtare tani i nënshtrohet shqyrtimit ligjor, që zakonisht zgjat disa muaj.
Brenda BE-së, ajo duhet të përkthehet edhe në të 24 gjuhët zyrtare. Më pas, Parlamenti Evropian dhe Parlamenti Australian duhet ta ratifikojnë marrëveshjen./Marrë nga DW/kb
