Një studim i ri sugjeron se jo vetëm sasia, por edhe lloji i alkoolit që konsumojmë mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin dhe jetëgjatësinë.
Hulumtimi, i prezantuar në një takim të Kolegji Amerikan i Kardiologjisë në New Orleans, zbulon se birra, mushti (cider) dhe pijet e forta alkoolike lidhen me një rrezik më të lartë të vdekjes së parakohshme – madje edhe kur konsumohen në sasi të ulëta.
Në të kundërt, konsumimi i moderuar i verës u shoqërua me një rrezik rreth 21% më të ulët për vdekje nga sëmundjet e zemrës.
Studimi u bazua në të dhënat e rreth 341 mijë personave nga projekti UK Biobank, të cilët u ndoqën për më shumë se 13 vite. Rezultatet treguan se personat që konsumonin sasi të larta alkooli kishin:
-24% më shumë rrezik për vdekje të parakohshme nga çdo shkak
-36% më shumë rrezik për vdekje nga kanceri
-14% më shumë rrezik për vdekje nga sëmundjet e zemrës
Gjithashtu, edhe konsumimi i ulët i birrës, cider-it apo pijeve të forta u lidh me një rritje prej 9% të rrezikut për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.
Sipas studiuesve, vera mund të ketë një efekt më mbrojtës për shkak të përbërësve të saj, por edhe sepse zakonisht konsumohet me vakte dhe nga persona me stil jetese më të shëndetshëm.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se gjetjet janë ende paraprake dhe duhet të konfirmohen nga studime të tjera shkencore./Kb
