Last Updated on 06/08/2025 by adminfjala
6 gusht 1994 – Vdekja e këngëtarit në moshën 66 vjeçare
Nga Leonard Veizi
Në horizontin e kaltër të viteve pesëdhjetë, kur Evropa ende mblidhte copat e shpirtit pas luftrave, një zë ngrihej si fluturim i papritur lirie. Ishte zëri i një njeriu që nuk këndonte thjesht, por fluturonte – “Volare!”, siç do të thoshte vetë, me krahë të pikturuar blu mbi një qiell ëndrrash.
Quhej Domeniko Modunjo, dhe përmes zërit të tij, Italia gjeti jo vetëm një poet muzikor, por edhe një simbol të ringjalljes emocionale. Lindur në Polignano a Mare, ai e solli me vete detin e jugut, diellin e Adriatikut dhe gjuhën e shpirtit të thjeshtë. Nuk ishte thjesht këngëtar, por një kantautor – ndoshta i pari i Italisë moderne – që nuk pranoi të këndonte fjalë të huaja nga të tjerët, por i ndërtonte vetë si arkitekt i emocioneve.
Me kitare në dorë dhe zërin që thyente kufijtë e kohës, Modunjo përçoi jo vetëm muzikë, por një mënyrë të re të të ndierit, të të qenurit. Në një kohë kur skena muzikore italiane ishte ende e ngurtë, e përmbajtur, ai erdhi si një stuhi ngjyrash dhe gjestesh, duke transformuar çdo skenë ku ngjitej në një shfaqje jetësore.
Kënga “Nel blu dipinto di blu”, që u pagëzua më vonë me emrin “Volare”, ishte shumë më tepër se një hit. Ajo fitoi dy çmime Grammy në vitin 1958 – për “Record of the Year” dhe “Song of the Year” – dhe u ngjit në krye të klasifikimeve muzikore në Shtetet e Bashkuara, diçka e rrallë për një këngë në gjuhën italiane. Por përtej statistikave, kënga u bë një himn i gëzimit dhe shpëtimit, një metaforë e atyre që, në një botë gri pas luftës, guxuan të ëndërronin sërish në ngjyrë.
“Volare” është ripërdorur me kalimin e kohës në mënyra që Modunjo ndoshta nuk do t’i kishte imagjinuar. Në vitet ’80, kur Etiopia po kalonte një krizë të madhe urie, kënga u rikëndua nga emra të mëdhenj të muzikës italiane në një version solidariteti, për të mbledhur fonde humanitare. Dhe shumë më vonë, gjatë pandemisë së Covid-19, “Volare” u dëgjua nga ballkonet e Italisë, si zëri i një populli të izoluar që refuzonte të nënshtrohej, që donte të besonte, të ngrihej mbi frikën dhe të kujtonte se shpresa është një krahë që nuk i preket gravitetit.
Më vonë, jeta e çoi Modunjon në kinema, teatër dhe më tej, edhe në politikë, ku shërbeu si deputet në Parlamentin Italian. Por ai nuk e la kurrë artin pas – ai mbeti gjithmonë një qenie e ndjeshme në shërbim të njerëzores, një artist që kuptonte se muzika nuk është vetëm melodi, por edhe ilaç për kohët e vështira.
Domeniko Modunjo ndërroi jetë më 6 gusht 1994, në moshën 66-vjeçare, por zëri i tij vijon të dëgjohet si zë i shpresës dhe lirive personale. Ai nuk ishte thjesht një artist. Ishte era që fryn kur njeriu vendos të fluturojë mbi veten.
Në një botë ku shpesh harrojmë të ngremë sytë nga toka, Modunjo na mëson ende të fluturojmë. Me sy të mbyllur, por me zemrën hapur, nel blu, dipinto di blu…
