Last Updated on 29/06/2025 by adminfjala
Ditën e nesërme në 30 qershor, në GJKKO, do mbahet seanca e parë për dosjen “Partizani”.
Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe tre të akuzuarit e tjerë, ortaku i dhëndrit të Berishës, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina , do përballen për herë të parë në bankën e të akuzuarve si të pandehur në një proces penal. Nuk dihet ende nëse ish-kryeminstri, Sali Berisha, do të jetë apo jo i pranishëm në seancë apo do të përfaqësohet nga avokatët.
Dosja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short me kryesuese Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca me Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues.
Sali Berisha do te gjykohet për akuzën e Korrupsionit Pasiv të zyrtarëve të lartë. Nga ana tjetër, SPAK pretendon se Berisha në cilësinë e kryeministrit, favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në përfitimin e pronës.
Berisha është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij, në masën e “arrestit në shtëpi”.
Dhëndri i Berishës akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë dhe nesër është vetëm seanca e parë.