Përgatiti: Leonard Veizi
Më 1431, në një sallë të ftohtë të selisë ushtarake angleze në Paris, nisi një nga gjyqet më të famshme të Mesjetës. Përballë një tribunali klerikësh dhe juristësh që vepronin nën hijen e pushtetit anglez, u ul në bankën e të akuzuarve një vajzë 19-vjeçare, e veshur me rroba burri, me fytyrë të zbehtë, por me një qetësi që i habitte të gjithë. Emri i saj ishte Zhan d’Ark.
Franca e përgjakur nga Lufta Njëqindvjeçare
Franca e asaj kohe ishte e copëtuar nga Lufta Njëqindvjeçare, një konflikt i gjatë midis kurorës franceze dhe asaj angleze për të drejtën e fronit. Kur Henri V pushtoi Francën dhe fitoi beteja vendimtare, ai pretendoi kurorën franceze, duke e shpallur trashëgimtarin legjitim, ndërsa princi francez i kurorës, Çarli VII, u cilësua i paligjshëm. Pas vdekjes së Henrit V, anglezët mbanin nën kontroll Parisin dhe pjesë të mëdha të veriut të Francës. Çarli ishte i izoluar në jug, pa para, pa ushtri të organizuar dhe pa besimin e plotë të fisnikëve.
Vajza nga Domrémy
Në këtë skenë të errët historike hyri një vajzë fshatare nga Domrémy. Analafabete, e rritur në një familje bujqish, ajo pretendonte se dëgjonte zëra qiellorë – të shenjtorëve – që e urdhëronin të shpëtonte Francën dhe të çonte princin në kurorëzim. Në moshën 17-vjeçare, pa asnjë përgatitje ushtarake, ajo arriti të bindte oborrin e dyshimtë dhe vetë Çarlin që ta lejonte të merrte pjesë në luftë.
Ishte një akt dëshpërimi nga ana e princit: situata ishte e pashpresë, qyteti i Orleanit ishte i rrethuar dhe rënia e tij do të nënkuptonte fundin e rezistencës franceze. Çfarë kishte për të humbur?
Çlirimi i Orleanit
Në pranverën e vitit 1429, Zhan d’Ark hyri në Orlean me një flamur të bardhë në dorë, duke frymëzuar trupat me një besim që dukej i pathyeshëm. Brenda pak ditësh, rrethimi anglez u thye. Ishte një kthesë dramatike e luftës. Fitorja elektrizoi Francën dhe i dha një shtysë të re moralit kombëtar.
Pas kësaj, Zhan d’Ark këmbënguli që Çarli të kurorëzohej sa më shpejt në Reims, sipas traditës franceze. Më 17 korrik 1429, ai u shugurua mbret si Çarli VII. Vajza fshatare ishte bërë simbol i rilindjes së Francës dhe u quajt “Bija e Orleanit”.
Rënia dhe tradhtia
Por politika është më e ashpër se beteja. Zhan d’Ark kërkonte ofensivë të vazhdueshme për të dëbuar plotësisht anglezët. Fisnikët dhe gjeneralët, më të kujdesshëm dhe të lidhur me interesat e tyre, nuk ndanin të njëjtin entuziazëm. Në vitin 1430, ajo u kap nga burgundët – aleatë të anglezëve – gjatë një përleshjeje pranë Compiègne. Në vend që të shpëtohej me negociata, siç ndodhte shpesh me fisnikët e kapur rob, ajo u shit tek anglezët.
Gjyqi i Parisit
Gjyqi i vitit 1431 ishte më shumë një proces politik sesa fetar. Ajo u akuzua për herezi, magji dhe për veshjen me rroba burrash – një shkelje e normave të kohës. E pyetur për zërat që dëgjonte, ajo nuk u tërhoq. Përballë një tribunali armiqësor, një vajzë adoleshente, pa arsimim teologjik, iu përgjigj me kthjelltësi pyetjeve të ndërlikuara, duke treguar një zgjuarsi që i çorientoi gjyqtarët.
E shpallur fajtore, ajo u dënua me vdekje. Më 30 maj 1431, në sheshin e Rouen-it, u dogj në turrën e druve. Thuhet se kërkoi një kryq dhe thirri emrin e Jezusit ndërsa flakët e përpinë trupin e saj. Ishte 19 vjeçe.
Nga herezi në shenjtore
Njëzet e pesë vjet më vonë, me kërkesë të mbretit Çarli VII, gjyqi u rishqyrtua dhe vendimi u anulua. Ajo u shpall e pafajshme. Në vitin 1920, Kisha Katolike e shpalli shenjtore, duke e kthyer figurën e saj në simbol të besimit, guximit dhe identitetit kombëtar francez.
Jehona në letërsi
Figura e saj frymëzoi breza shkrimtarësh e mendimtarësh. William Shakespeare e përmendi në dramën e tij për Henrin VI; Voltaire e trajtoi me ironi polemike; Jules Michelet e ngriti në simbol të shpirtit kombëtar; Friedrich Schiller e dramatizoi si heroinë tragjike; Mark Twain i kushtoi një roman plot admirim; Anatole France dhe George Bernard Shaw e rishikuan mitin e saj në mënyra të ndryshme, herë kritike e herë heroizuese.
Epilogu
Historia e Zhan d’Arkës mbetet një nga paradokset më të mëdha të historisë: një vajzë fshatare, analfabete, që për pak vite ndryshoi rrjedhën e një lufte shekullore; e shpallur heretike nga bashkëkohësit e saj, por e shenjtëruar nga koha. Në flakët që e përpinë, u dogj trupi i saj – por lindi miti i pavdekshëm i një kombi.
