Dueli i ashpër mes Erich von Falkenhayn, që komandonte forcat gjermane dhe Philippe Petain, mbrojtësi i Verdunit
Përgatiti: Leonard Veizi
Gjatë Luftës së Parë Botërore, përfundon Beteja e Verdun-it. E konsideruar si një nga betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme të këtij konflikti, ajo përfundoi me tërheqjen e plotë të forcave gjermane të komanduara nga Erich von Falkenhayn. Gjatë kësaj beteje si forcat franceze, ashtu dhe ato gjermane, patën me mijëra të vrarë dhe të plagosur…
…Verduni është kthyer në simbol të Luftës së Parë Botërore. Ishte një beteje e pakuptimtë 300 ditëshe njerëzore dhe materiale. Një masakër e madhe, por jo fitim terreni për të dyja ushtritë.
Beteja e Verdunit ishte një nga më të mëdhatë e Frontit Perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore. Palët ndërluftuese ishin francezët dhe gjermanët, dhe përleshjet filluan më 21 shkurt për të përfunduar më 18 dhjetor 1916, në terrenin kodrinor të qytetit Verdun-sur-Meuse në Francën veriperëndimore. Beteja e Verdunit përshkruhet botërisht nga historianët si fitore taktike e francezëve, por gjithashtu është parë si një ngërç i kushtueshëm sa u takon rezultateve strategjike. Komanda e Lartë Gjermane nuk arriti t’i plotësonte dy objektivat e saj: 1-marrjen e qytetit të Verdunit dhe 2-dëme më të mëdha për trupat franceze.
Lufta
Ishte mëngjes herët kur nisi të buçasë zjarri i artilerisë. Nga 100 gryka të të gjitha kalibrave shtijnë gjermanët. Nëntë orë të pafundme pa ndërprerje. Një gjë të tillë bota nuk e kishte përjetuar ende. 200 kilometra më tutje mund t’i dëgjosh topat e Verdunit. “Breshëri çeliku” e quan shkrimtari Ernst Jünger atë që ndodh. 21 shkurti 1916, fillimi i sulmit të quajtur nga gjermanët “Operacioni gjyq”, nuk është ditë normale lufte. Në kontinent ka një vit e gjysmë që po luftohet, por vetëm beteja e Verdunit kthehet në simbol të Luftës së Parë Botërore.
Bilanci
Vetëm këtu e humbën jetën 162.000 francezë dhe 143.000 gjermanë. 500 të vrarë çdo ditë në anën gjermane, tek francezët madje edhe më shumë. Më e pakta e tyre ra në kuptimin klasik ushtarak të fjalës. Ushtarët u copëtuan, u hodhën në erë, u kthyen në pluhur nga dhuna e armëve. Për kuptimin e kësaj ofensive gjermane vritet mendja edhe sot. Një shpjegim e ofron Erich von Falkenhayn, komandanti i përgjithshëm gjerman. Verduni kishte qenë sipas tij një “pompë gjaku”.
Pse Verduni
Debati se pse u ndërmorr e gjitha këtu, në terrenin kodrinor përgjatë lumit Maas, i cili bën një kthesë te Verduni, nuk ka marrë fund deri sot. Thuajse të gjithë ekspertët ushtarakë dhe historianët janë të të njëjtit mendim, se edhe po ta kishin pushtuar gjermanët, Verduni nuk do të kishte qenë pikë fillestare e mirë për depërtime më të thella në drejtim të Parisit (250 km larg). Në fakt Erich von Falkenhayn nuk donte të shënonte as një kthesë, as synonte një betejë të gjerë. Ai donte me plotëkuptimin e fjalës t’u mbaronte francezëve të gjithë gjakun që kishin në damarë. “Përgjakje deri në të bardhë”, e quajti këtë gjenerali gjerman. Një llogari cinike, sepse për francezët, Verduni ishte më shumë se një pikë strategjike ushtarake. Qyteti i Lorenës/Lotringenit “ishte simboli i kundërshtisë gjermano-franceze”, shprehet historiani Herfried Münkler. Këtu u nda në shekullin e 9-të Perandoria Karolingase, fillimisht në tri pjesë, përpara se të krijoheshin prej saj në fund të Mesjetës Perandoria Franke e Perëndimit dhe e Lindjes.
Masakra e madhe
Por Philippe Petain, mbrojtësi i Verdunit, e pati kuptuar planin e von Falkenhaynit. Synimit të gjermanëve, për t’i konsumuar plotësisht francezët në Verdun, gjenerali u vuri përballë një taktikë të zgjuar. Ai e lidhi me plotëkuptimin e fjalës gjithë kombin në betejën në Lindje të Francës. Më shumë se 70 përqind e ushtarëve francezë u dërguan me urdhër të paktën një herë për tetë deri dhjetë ditë në llogoret e Verdunit. Me këtë parim rotacioni, ai arriti një lëvizje shahu me pasoja: gati çdo familje në Francë ishte e pranishme në dhe pranë Verdunit.
Fuqia e zjarrit
Fuqia e zjarrit e kësaj lufte industriale të praktikuar këtu për herë të parë është e papërfytyrueshme edhe kur hedh vështrimin pas. Në më pak se 30 kilometra katrorë u shpërthyen më shumë se dhjetë milionë predha, me një peshë prej 1,35 milionë tonë, kanë përllogaritur ushtarakët. Zhurma e papërfytyrueshme i shurdhoi shumë ushtarë. Në vuajtjet e papërshkrueshme të ushtarëve bën pjesë edhe kundërmimi i keq që nuk mund të shprehet me fjalë. Për dekada të tëra gjithë zona ishte e helmuar nga lëndët luftarake të përdorura. Në një luftë që nuk i solli asnjërës nga të dy ushtritë në asnjë kohë më shumë se katër kilometra përfitim në terren.
Mbrojtja
Që prej korrikut 1916, pas dështimit të ofensivave të vogla gjermane, gjenerali von Falkenhayn dha urdhër për të kaluar në “defensivë të rreptë”. Prej kohësh trupat gjermane nevojiteshin në vende të tjera, para së gjithash në frontin e Somme-së. Në tetor francezët avancuan dhe pushtuan deri në dhjetor të gjitha zonat e humbura. Ky sukses në dukje i francezëve, në të vërtetë ishte një pakt ushtarak, me çmimin e një katastrofe të pashembullt njerëzore dhe fillimi i një kulti të përkujtimit, që shtrihet deri sot.
