Më 4 qershor 1939, anija gjermane “St. Louis” qëndroi pranë brigjeve të Floridës
Nga Leonard Veizi
Historia e Holokaustit shpesh identifikohet me trena, kampe përqendrimi dhe dhoma gazi. Por ajo përfshin edhe një anije: “St. Louis”. Në verën e vitit 1939, kjo anije u kthye në simbolin e indiferencës botërore, ku 963 hebrenj që iknin nga Gjermania naziste u refuzuan nga bota demokratike dhe u dënuan me rikthim drejt vdekjes.
“Udhëtimi i të Mallkuarve”
Tragjedia e vitit 1939 u soll në ekranin e madh nga regjisori Stuart Rosenberg në filmin “Voyage of the Damned” apo “Udhëtimi i të Mallkuarve”. Aktorët kryesorë në këtë produksion ishin: Fej Danave, Maks fon Sidov, Li Grant, Orson Uells, Xhejms Mejsën. Filmi nuk fokusohet te kampet naziste, por te çasti kritik kur këta njerëz ende mund të shpëtoheshin. Ai funksionon si një aktakuzë morale ndaj vendeve demokratike, duke treguar se tragjedia nuk erdhi vetëm nga krimet e nazizmit, por edhe nga indiferenca e botës që mbylli sytë para katastrofës.
Kronologjia e një tragjedie
Pas tmerreve të “Kristallnacht” apo siç njihet në shqip “Nata e Xhamave të Thyer” në nëntor 1938, hebrenjtë në Gjermaninë e Adolf Hitlerit po zhvisheshin nga çdo e drejtë. Të dëshpëruar, shumë prej tyre shitën pasuritë për të blerë një biletë shpëtimi. Më 13 maj 1939, anija “St. Louis” u nis nga Hamburgu drejt Kubës me 963 pasagjerë në bord.
Refuzimi i parë: Kuba
Pas dy javësh lundrim, anija mbërriti në portin e Havanës. Por qeveria kubane kishte ndryshuar rregullat e emigracionit në momentet e fundit. Ajo refuzoi të njihte lejet e hyrjes. Pas ditësh të tëra lutjesh dhe dëshpërimi (ku u tentuan edhe vetëvrasje), vetëm 28 pasagjerë u lejuan të zbrisnin.
Amerika dhe Kanadaja kthejnë shpinën
Më 4 qershor 1939, “St. Louis” lundroi pranë brigjeve të Floridës. Pasagjerët mund të shihnin dritat e Majamit, por Presidenti Franklin D. Roosevelt dhe administrata e tij refuzuan të bënin përjashtim nga ligjet e rrepta të emigracionit. Edhe Kanadaja mbajti të njëjtin qëndrim refuzues.
Për t’u siguruar që asnjë refugjat nuk do të hidhej në ujë për të arritur tokën, anija u shoqërua nën mbikëqyrje nga Roja Bregdetare amerikane.
Rikthimi në Europë dhe fati tragjik
Më 6 qershor 1939, anija u detyrua të kthehej pas. Pas negociatave intensive, pasagjerët u shpërndanë në vende të Europës Perëndimore: Britani e Madhe, Francë, Belgjikë dhe Holandë.
Por pak muaj më vonë shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Ushtria naziste pushtoi pjesën më të madhe të Europës Perëndimore. Si pasojë, më shumë se 250 nga pasagjerët e “St. Louis” përfunduan dhe vdiqën në kampet naziste të shfarosjes.
Përfundimi
Sot, “St. Louis” njihet si “Anija e të Refuzuarve”. Historia e saj shërben si një kujtesë e tmerrshme se burokracia, frika politike dhe indiferenca njerëzore mund të jenë po aq vdekjeprurëse sa vetë armët e luftës.
