Në vitin 1917, në kaosin e pasrevolucionit bolshevik, u themelua Cheka – Komisioni i Jashtëzakonshëm për Luftën kundër Kundërrevolucionit dhe Sabotazhit – policia e parë sekrete e shtetit të ri sovjetik
Përgatiti: Leonard Veizi
Historia e shërbimeve sekrete të Bashkimit Sovjetik nuk është vetëm një kronikë e dhunës dhe frikës revolucionare. Ajo është edhe rrëfimi i një transformimi të thellë institucional: nga terrori i hapur i viteve të para, drejt ndërtimit të një aparati profesional, të arsimuar dhe ideologjikisht të disiplinuar për mbrojtjen e shtetit. Në qendër të kësaj historie qëndron figura e Feliks Xherzhinski, jo vetëm si xhelati i Çekës, por si ideologu i një doktrine që do të ndikonte breza të tërë shërbimesh sekrete, përfshirë edhe ato shqiptare.
Nga Çeka te KGB
Faza e parë e shërbimit sekret sovjetik, e përfaqësuar nga Çeka – në vitet 1917–1922, – u karakterizua nga ajo që historia njeh si “Terrori i Kuq”: ekzekutime pa gjyq, arrestime arbitrare dhe eliminim fizik i kundërshtarëve politikë. Por shteti sovjetik e kuptoi shpejt se frika e zhveshur nuk mjaftonte për të garantuar kontroll afatgjatë.
Pasardhësit e Çeka – GPU, OGPU, NKVD dhe më pas KGB – u ndërtuan mbi një filozofi tjetër: profesionalizimin e dhunës dhe institucionalizimin e vigjilencës. Armiku nuk duhej vetëm goditur, por duhej zbuluar, studiuar, infiltruar dhe neutralizuar me metoda “shkencore”.

Akademia “Feliks Xherzhinski”
Në këtë kuadër lindi Akademia e famshme e KGB-së që mbante emrin e Feliks Xherzhinskit. Ky institucion ishte maja e piramidës së formimit të inteligjencës sovjetike. Aty përgatiteshin jo thjesht agjentë operativë, por “roje të shtetit”, të pajisur me njohuri ushtarake, psikologjike dhe ideologjike.
Gjatë periudhës së miqësisë shqiptaro-sovjetike, deri në vitin 1961, një numër i konsiderueshëm oficerësh të Sigurimit të Shtetit dhe ushtarakësh shqiptarë u dërguan për trajnim në Bashkimin Sovjetik. Akademia “Xherzhinski” ishte destinacioni më prestigjioz i këtij formimi.
Shqipëria dhe trashëgimia sovjetike
Në auditorët e kësaj akademie, oficerët shqiptarë nuk mësonin vetëm taktika operative apo përdorimin e armëve. Thelbi i mësimit ishte “vigjilenca revolucionare”: mbikëqyrja e vazhdueshme e shoqërisë, infiltrimi i rrjeteve armiqësore, ndërtimi i informatorëve dhe teknikat e marrjes në pyetje.
Pas kthimit në Shqipëri, shumë nga këto metoda u aplikuan pothuajse mekanikisht nga Sigurimi i Shtetit. Manualet sovjetike u bënë udhërrëfyes praktikë, ndërsa emri i “Feliksit të Hekurt” përmendej me respekt në ambientet e Ministrisë së Brendshme si simbol i pastërtisë morale dhe i besnikërisë absolute ndaj Partisë.
Evolucioni i institucionit
Historia e shërbimeve sekrete sovjetike mund të lexohet edhe si një proces i vazhdueshëm përshtatjeje:
1917–1922 – Çeka: terror i hapur dhe ekzekutime pa gjyq.
1922–1934 – GPU / OGPU: konsolidim i kontrollit mbi popullsinë.
1934–1946 – NKVD: spastrime masive dhe paranojë staliniste.
1954–1991 – KGB: inteligjencë moderne, spiunazh global dhe luftë ideologjike.
Ky evolucion tregon kalimin nga dhuna brutale drejt një aparati të sofistikuar kontrolli.
Lubianka, zemra e errët e pushtetit
Në qendër të këtij sistemi qëndronte ndërtesa famëkeqe e Lubjankës në Moskë. Ajo nuk ishte thjesht një seli administrative, por një univers i mbyllur: zyra të drejtuesve, burgje izolimi, dhoma marrjeje në pyetje dhe hapësira torture. Simboli dhe mekanizmi qendror i policisë sekrete të Bashkimit Sovjetik. Fillimisht seli e Çekës, më pas e GPU-së, OGPU-së, NKVD-së dhe KGB-së, Lubjanka përfaqësonte vendin ku pushteti hetues, represiv dhe politik bashkoheshin në një pikë të vetme. Për oficerët dhe studentët ushtarakë nga vendet satelite, përfshirë Shqipërinë, Lubjanka ishte njëkohësisht një vend adhurimi profesional dhe një simbol tmerri. Ajo mishëronte thelbin e shërbimit sekret sovjetik.
Kulti i “Feliksit të Hekurt”
Zgjedhja e emrit të Xherzhinskit për akademinë nuk ishte rastësi. Ai u shndërrua në modelin ideal të oficerit të inteligjencës: asket, i pakorruptueshëm, i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për shtetin. Ai flinte në zyrë mbi një krevat fushate dhe predikonte vetëpërmbajtje absolute. Mesazhi për brezat e oficerëve ishte i qartë dhe i pandryshueshëm: “kokë e ftohtë, zemër e nxehtë dhe duar të pastra”.
Trashëgimia që i mbijetoi prishjes
Për ushtarakët shqiptarë të mesit të shekullit XX, Akademia “Feliks Xherzhinski” përfaqësonte kulmin e karrierës profesionale. Trajnimi aty nuk ishte thjesht ushtarak, por një indoktrinim i thellë mbi mbijetesën e shtetit përmes identifikimit dhe eliminimit të “armikut të brendshëm”.
Edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Moskën, doktrina e Xherzhinski mbeti busulla morale dhe operacionale e shërbimeve të inteligjencës në Shqipërinë komuniste – një hije e gjatë ideologjike që vazhdoi të ndikojë përtej vetë epokës sovjetike.
