Last Updated on 27/02/2026 by Anisa
E ftuar në një intervistë me Arbana Osmanin në emisionin Mirëmbrëma Yje, Jonida Maliqi foli hapur për ndarjen pas 17 vitesh martesë dhe për periudhat më të vështira të jetës së saj. Ajo tregoi se dikur e kishte parë divorcin si humbje, por sot e konsideron një përvojë që sjell mësim dhe rritje personale.
“Për mua ishte dështim divorci,” u shpreh ajo, duke shtuar: “Sot mendoj që divorci nuk është dështim, divorci është mësim. Është shumë e vështirë të krijosh një marrëdhënie në moshë shumë të vogël dhe të pretendosh se do të jetosh gjithë jetën me të njëjtin partner.”, tha ajo. Artistja theksoi se mëmësia i ka dhënë forcë dhe vetëbesim, duke e ndryshuar thellësisht si njeri.
Jonida Maliqi ka ndarë me publikun një nga periudhat më të errëta dhe më të dhimbshme të jetës së saj personale, duke folur hapur për momentin kur u përball me frikën se djali i saj mund të ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Këngëtarja e përshkroi atë kohë si dramën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë, një situatë që në fillim i dukej pa zgjidhje dhe pa shpresë.
“Ka qenë një moment ku më është dashur të përballem me një situatë që ishte drama e jetës sime. Ku supozohej që Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Kjo ishte një situatë që mendova se nuk kishte shpresë, por e kisha shumë gabim. Nuk kisha informacion. Nuk dita ta përballoj për momentin. Kam dashur t’i jap fund jetës për hir të së vërtetës.”
Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e fortë mbi pasigurinë, mungesën e informacionit dhe presionin emocional që përjetojnë shumë prindër në situata të ngjashme. Jonida pranoi se ajo periudhë e gjeti të papërgatitur emocionalisht, por me kalimin e kohës, perspektiva e saj ndryshoi rrënjësisht.
Këngëtarja u ndal te lidhja e veçantë me djalin e saj, duke e përshkruar atë si dhuratën më të madhe të jetës dhe burimin e dashurisë më të pastër që ka njohur.
“Mua më ka bekuar Zoti me Danin. Unë kam një fëmijë që më jep dashurinë që s’do ma jepte asnjë mashkull në botë dhe jam shumë e lumtur që është një burrë,” tha Jonida në “Mirëmbrëma Yje”.
Këngëtarja foli hapur edhe për raportin që vazhdon të ruajë me ish-partnerin e saj, Romeo Veshaj, duke e kujtuar marrëdhënien e tyre si një nga periudhat më të bukura të jetës së saj.

“Ka qenë një periudhë shumë e bukur e jetës sime. E kujtoj me dashamirësi sepse i kemi ruajtur raportet,” u shpreh ajo.
Artistja theksoi se do të kishte dashur që një marrëdhënie të tillë korrekte ta kishte edhe me babain e djalit të saj, Danit.
“Do kisha dashur që edhe me babin e Danit të kisha këtë raport që kam me Romeon sot e kësaj dite, me familjarët e tij. Më uron për çdo ditëlindje të Danit, timen, të mamit. Edhe unë e uroj atë dhe i jam shumë mirënjohëse se ka qenë një ndër partnerët e vetëm që ka bërë shumë për Danin.”
Jonida nënvizoi gjithashtu edhe lidhjen e fortë që Romeo kishte krijuar me djalin e saj, duke treguar se kjo marrëdhënie ka lënë gjurmë edhe sot.
“Kanë qenë shumë të lidhur dhe Dani edhe sot e kësaj dite e përmend, nuk e ka harruar.”
Ndër të tjera Jonida kujtoi gjithashtu një moment të saj intensive me angazhime artistike, kur iu desh të largohej për disa muaj nga Shqipëria dhe Romeo ishte kujdesur për djalin e saj.
“Mbaj mend që unë fitova Eurovision dhe më duhej të lëvizja gjashtë muaj, dhe i thoshte mamit: ‘Bëje Danin gati se do ta nxjerr’, edhe e nxirrte në park lojërash me prindërit e tij. Gjë shumë e rrallë për mentalitetin shqiptar.”
