Qeveria e Spanja dhe autoritetet e Kishës Katolike kanë firmosur këtë të hënë një protokoll të rëndësishëm për kompensimin dhe njohjen e viktimave të abuzimeve seksuale nga klerikët.
Ministri i Drejtësisë, Felix Bolanos, deklaroi se kjo është një ditë drejtësie për mijëra persona që kanë vuajtur abuzime dhe që për vite me radhë nuk janë mbështetur, madje shpesh janë vënë në dyshim dhe janë harruar nga institucionet.
Sipas marrëveshjes, viktimat që nuk kanë mundur të ndjekin çështjet në rrugë ligjore për shkak të parashkrimit, apo në rastet kur autorët kanë ndërruar jetë, do të kenë mundësi të përfitojnë dëmshpërblim financiar, moral dhe psikologjik. Skema pritet të hyjë në fuqi më 15 prill.
Ndërkohë, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, Luis Arguello, pranoi se në disa raste plagët e shkaktuara nuk mund të shërohen plotësisht, por theksoi se duhet bërë gjithçka e mundur për të adresuar pasojat e abuzimeve.
Skandali i abuzimeve në Kishën Katolike në Spanjë doli në dritë pas një hetimi të gazetës El Pais në vitin 2021, ku u zbuluan mbi 1,200 raste të dyshuara.
Ndërkohë, një raport i vitit 2023 nga institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se numri i viktimave mund të arrijë në qindra mijëra gjatë dekadave të fundit.
Sipas autoriteteve, çdo rast do të shqyrtohet individualisht dhe forma e dëmshpërblimit do të përcaktohet në bazë të kërkesës së viktimës, duke synuar të ofrojë drejtësi dhe rikthim dinjiteti për të prekurit./mxh
