Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka përmbyllur një tur diplomatik në Lindjen e Mesme, duke siguruar marrëveshje dhjetëvjeçare që synojnë mbrojtjen ushtarake dhe stabilitetin energjetik të vendit të tij.
Gjatë vizitave në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katar dhe Jordani, fokusi kryesor ishte bashkëpunimi në teknologjinë ushtarake, veçanërisht në sistemet kundër-balistike, ku Kievi po përballet me mungesa për shkak të furnizimeve drejt Lindjes së Mesme.
Përveç mbrojtjes, Ukraina ka siguruar furnizim me naftë për një vit, një lwvizje jetike kjo për sektorin e saj ushtarak dhe atë bujqësor.
Gjatë një deklarate, Zelenskyy ofroi ndihmën e Ukrainës për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke u mbështetur në suksesin e funksionimit të korridorit të Detit të Zi.
“Kemi rënë dakord për bashkëpunim strategjik në fushën e teknologjisë ushtarake dhe fusha të tjera. Po flasim për marrëveshje dhjetëvjeçare. Kjo është ndihmë e ndërsjellë, pa dyshim. Ne jemi gjithashtu të interesuar për aktivitete kundër-balistike. E dini që kemi deficit në këtë fushë, ashtu siç përballemi me sfida lidhur me energjinë dhe naftën. Prandaj, në pikëpamjen time, këto marrëveshje, që do të formalizohen ligjërisht, janë shumë të rëndësishme për shtetin tonë,”- deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi se Kievi mbetet i gatshëm të ndihmojë partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në përpjekjet për të garantuar lirinë në rrugët kryesore tregtare të globit./mxh
