Dronët ukrainas goditën një qendër logjistike të kompanisë së tregtisë elektronike Ozon, në rajonin e Samarës në Rusi, duke shkaktuar një zjarr të madh.
Ky konsiderohet “sulmi i parë” ndaj gjigantit rus të tregtisë elektronike, i cili është i dyti më i madh në vend pas Wildberries. Qendrat logjistike të Wildberries janë shënjestruar disa herë në të kaluarën.
Kompania, e cituar nga TASS, konfirmoi sulmin dhe deklaroi se më shumë se 500 punonjës u evakuuan brenda pak minutash. Megjithatë, sipas kompanisë, pati edhe viktima. Më herët, guvernatori i rajonit të Samarës, Vyacheslav Fedorishchev, kishte raportuar se disa persona ishin plagosur.
Një zëdhënës i shërbimeve të emergjencës i tha TASS se katër persona u plagosën në sulmin ndaj qendrës logjistike të Ozon. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, pasi u hodh nga dritarja e katit të dytë.
“Mjekët po e operojnë atë”, tha zëdhënësi.
Ndërkohë, sulmet ajrore ruse në Ukrainë, veçanërisht në Kiev, shkaktuan të paktën dy viktima gjatë natës, sipas autoriteteve lokale.
Administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas, pasi lëshoi një paralajmërim për sulme me raketa, raportoi për një zjarr në një depo. “Sipas informacioneve paraprake, një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur”, deklaroi administrata në Telegram.
Në Zaporizhzhia, një dron rus vrau një burrë dhe plagosi katër persona të tjerë, sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov.
Në total, një seri sulmesh ajrore ruse vrau të paktën 20 persona në Ukrainë, duke përfshirë 16 viktima nga një sulm me dron ndaj një qendre tregtare të mbushur me njerëz në Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky./ad
