Last Updated on 22/08/2026 by Anisa
Futbollisti Pablo Paez Gavira, i njohur ndryshe si Gavi, raportohet se ka ndarë 1.3 milionë euro për një projekt social që synon ndërtimin e 150 banesave për rreth 300 persona në situata të vështira në qytetin e tij të lindjes, Los Palacios y Villafranca, pranë Seviljes.
Sipas mediave spanjolle, projekti synon të ofrojë strehim të qëndrueshëm për personat e pastrehë ose banorët lokalë që përballen me vështirësi për të siguruar një banesë. Kompleksi pritet të përfshijë 150 apartamente me kapacitet për rreth 300 persona.
Kjo konsiderohet një nismë veçanërisht e rëndësishme për mesfushorin e FC Barcelona, për shkak të lidhjes së tij të ngushtë me Los Palacios y Villafranca. Gavi u largua nga qyteti në moshë të vogël për të vazhduar formimin e tij futbollistik, por vazhdon të mbetet një figurë shumë e dashur për komunitetin lokal. Sipas gazetës spanjolle “La Razón”, fondi prej 1.3 milionë eurosh do të vinte nga vetë futbollisti dhe do të përdorej për ndërtimin e një kompleksi me 150 banesa për dy persona. Nisma nuk do të kishte karakter të një investimi tradicional në pasuri të paluajtshme për përfitim, por do të ishte një projekt me qëllim social.
Megjithatë, deri tani janë bërë publike pak detaje mbi mënyrën e zbatimit të projektit, afatet e ndërtimit apo kushtet që duhet të plotësojnë personat që do të përfitojnë banesat. Raportimet e publikuara deri më tani përmendin një investim prej 1.3 milionë eurosh dhe ndërtimin e 150 apartamenteve me hapësirë për rreth 300 persona.
