Last Updated on 01/05/2026 by EL
Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi komisioni zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe kritereve statutore, komisioni vendosi unanimisht të kualifikojë vetëm Sali Berisha si kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, duke vlerësuar se ai plotëson të gjitha kriteret e kërkuara.
Ndërkohë, kandidaturat e Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u rrëzuan, pavarësisht se dokumentacioni i tyre rezultoi i rregullt.
Sipas Komisionit, ata nuk përmbushin kriteret statutore që lidhen me profilin e lartë publik dhe politik, si dhe mungesën e eksperiencës drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.
Për rrjedhojë, komisioni i ka propozuar Kryesisë së Partisë Demokratike vetëm kandidaturën e Berishës për miratim në zgjedhjet e planifikuara për datën 23 maj 2026.
Kandidatura e Ervin Salianjit nuk është marrë në konsideratë.
Pas këtij njoftimi ka ardhur edhe reagimi i kandidates Mereme Sela. Në një prononcim për TPZ.al, Sela u shpreh se personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është Berisha dhe jo ajo dhe se marrja e njoftimit përmes medias është e papranueshme.
“Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha.
Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.
Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot”- tha Sela ./et
