Për hir të hebrenjve britanikë dhe myslimanëve britanikë – dhe për ata prej nesh që besojnë në multikulturalizëm – nga polemika e Villa Park-ut duhen nxjerrë mësime.
Gaby Hinsliff*
Ishte një natë famëkeqe në futboll.
Më shumë se 5,000 policë holandezë u desh të dislokoheshin për të frenuar qindra tifozë izraelitë që, pas ndeshjes, u përfshinë në një shfrenim dhune, duke shkulur flamuj palestinezë, duke sulmuar shoferë taksish myslimanë dhe duke hedhur kalimtarë të pafajshëm në lumë.
Problemi i vetëm me këtë rrëfim, të ofruar nga policia e West Midlands-it për të mbështetur një vendim tejet të ndjeshëm për ndalimin e tifozëve të Maccabi Tel Aviv-it që të udhëtonin drejt një ndeshjeje në Villa Park nëntorin e kaluar, është se këtë javë një shqyrtim i pavarur nga kryeinspektori i policisë, Andy Cooke, përfundoi se një pjesë e madhe e tij ose është e ekzagjeruar, ose krejtësisht e pasaktë. (Policia holandeze u tha inspektorëve të tij se kishin dislokuar 1,200 oficerë, se kishin raportime për një flamur dhe një shofer taksie, dhe se në fakt ishte një tifoz i Maccabi-t ai që u hodh në një kanal, me sa duket nga anëtarë të një grupi pro-palestinez.)
Edhe pse askush nuk e kundërshton se ishte një natë e dhunshme që mund të ketë ndikuar fort në dëshirën e policisë për të ndaluar tifozët e Maccabi-t, në rastin më të mirë ata ndërtuan një dosje shqetësuese të shkujdesur për këtë vendim, përfshirë referenca të kopjuara nga një mjet i pasigurt i inteligjencës artificiale për një ndeshje futbolli që në fakt nuk kishte ekzistuar. Por ndoshta më dëmtuese është gjetja se, duke minimizuar publikisht raportimet për vendas që po planifikonin të sulmonin vizitorët, forca e policisë e mbivlerësoi kërcënimin që vinin izraelitët dhe e nënvlerësoi atë që u kanosej atyre – një gabim me pasoja globale.
Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, e cila si deputete myslimane në Birmingham nuk ka nevojë për leksione mbi ndjeshmëritë, reagoi duke thënë se, duke u përpjekur me sa duket të zbusnin marrëdhëniet komunitare, policia vetëm sa i kishte përkeqësuar gjërat. Tani qyteti përballet me një debat helmues mbi të ashtuquajturin “policim me dy standarde”, duke ringjallur njëherësh pretendimet ndezëse të së djathtës ekstreme se policia sillet me butësi ndaj myslimanëve nga frika se mos duket raciste, dhe ankesat se, nëse ka diçka, ndodh e kundërta – gjë që nuk i qetëson aspak as hebrenjtë britanikë, as myslimanët britanikë, të frikësuar për sigurinë e tyre në një klimë të ndezur. Ndërkohë, iu la vlerësuesit të pavarur të legjislacionit antiterrorist, Jonathan Hall-it, të pyesë pse, nëse policia ishte në dijeni të kërcënimeve për të dëmtuar tifozët izraelitë, nuk ndoqi penalisht sulmuesit e mundshëm, por u tha viktimave të pritshme të krimeve me motiv racor të qëndronin në shtëpi.
Për shumë hebrenj britanikë, e gjithë kjo ngjall frikëra të thella se po trajtohen më pak si një pakicë e persekutuar dhe më shumë si “problemi”, të detyruar të tërhiqen nga hapësirat publike për t’ua kursyer të tjerëve sikletin e përballjes për përfshirjen e tyre. Dikush kërkon të dëmtojë izraelitë që vijnë si vizitorë? Atëherë, ndoshta ata thjesht nuk duhet të vijnë. Kjo frikë se po shtrydhen jashtë jetës publike, për disa, vetëm sa përforcohet nga një fushatë bojkoti ndaj figurave publike hebraike – nga muzikantë dhe humoristë te deputeti dhe nënkryetari i Labour Friends of Israel, Damien Egan, i cili thuhet se u detyrua të anulonte një vizitë në një shkollë në zonën e tij elektorale në Bristol për shkak të një proteste publike të paralajmëruar – të konsideruar nga aktivistë pro-palestinezë si persona që nuk e kanë dënuar mjaftueshëm luftën në Gaza, ose që kanë lidhje tepër të ngushta me Izraelin. (Thuhet se Egan e ka vizituar vendin që nga shpërthimi i luftës, një “sinjal alarmi” për lëvizjen e bojkotit.)
Edhe pse aktivistët këmbëngulin se nuk po bojkotojnë askënd thjesht pse është hebre, nuk është e vështirë të kuptohet pse një pakicë e cenueshme do të frikësohej se po veçohet për “teste pastërtie” politike, ose se po mbahet padrejtësisht përgjegjëse për veprimet e një qeverie të huaj mbi të cilën nuk ka asnjë kontroll. Debati nëse kjo është apo nuk është antisemitizëm duket më pak produktiv sesa gjetja e mënyrave për të ndalur Britaninë të rrëshqasë drejt një getoizimi kulturor reciprokisht armiqësor dhe mosbesues, të cilin ekstremistët e shfrytëzojnë me kaq lehtësi.
Shkolla thotë se e ka riplanifikuar vizitën e Egan-it, çka është qetësuese: në një demokraci deputetët duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në zonat e tyre elektorale, dhe adoleshentët që së shpejti do të jenë votues meritojnë mundësinë të takojnë – dhe ndonjëherë të sfidojnë – përfaqësuesit e tyre. Ndërkohë, një inspektim i menjëhershëm i Ofsted-it duhet të sqarojë deri në fund akuzat e gazetave se stafi i shkollës, i detyruar profesionalisht të jetë politikisht i paanshëm, ka punuar aktivisht për ta mbajtur Egan-in jashtë.
Megjithatë, është thelbësore që të nxirren mësime përpara pikës së radhës të ndezjes, sepse, për fat të keq, do të ketë të tjera. Të menaxhuara keq, ato vetëm sa i shërbejnë interesave të atyre – nga e djathta nacionaliste ekstreme te fundamentalistët që kërkojnë që myslimanët të largohen nga Perëndimi “dekadent” për të ndërtuar kalifatin e tyre të ëndërruar – të dëshpëruar për të provuar gënjeshtrën e vjetër se myslimanët dhe hebrenjtë nuk mund të bashkëjetojnë paqësisht, se demokracitë liberale nuk i përballojnë dot këto tensione, se emigracioni masiv çon pashmangshëm në importimin e konflikteve të largëta dhe në atë që bota e Trump-it e quan “fshirje qytetërimore”.
Ata prej nesh që besojnë sinqerisht në synimin e një shoqërie multikulturore, ku njerëz të të gjitha besimeve dhe prejardhjeve mësojnë të jetojnë së bashku, pak a shumë me tolerancë, duhet të pranojmë se kjo nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Profesionistët në vijën e parë – nga politikanët te drejtuesit e policisë, drejtorët e shkollave dhe njerëzit që nuk e kishin menduar kurrë se do të lundronin në fusha të minuara politike – herë pas here do të thirren të marrin vendime të vështira; dhe kur t’i drejtohen policisë për këshilla të paanshme mbi menaxhimin e këtyre pikave të nxehta, duhet të jenë në gjendje t’u besojnë atyre. Ky besim u dëmtua rëndë në West Midlands, prandaj edhe shqyrtimi i Cooke-it është shndërruar në një çështje dorëheqjeje.
Por të jetuarit së bashku në kohë lufte dhe tensioni kërkon gjithashtu empati dhe përpjekje nga pjesa tjetër e shoqërisë: një gatishmëri për kompromis, për bujari dhe për të pranuar se toleranca nuk është thjesht diçka që liberalët ua predikojnë të tjerëve, por diçka që duhet ta praktikojmë vetë – edhe (ose ndoshta sidomos) kur ndihemi moralisht të drejtë. Nuk do të jetë e lehtë. Por, më besoni, është shumë më mirë se alternativa.
Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
